KEDS e konsideron vendimin e Inspektoratit të Punës, kapërcim të kompetencave që i njeh Ligji
KEDS përmes një komunikate për media ka konsideruar se Inspektorati i Punës përmes vendimit për kthim në punë të punëtorëve të larguar ka bërë kapërcim të kompetencave ligjore.
Lajme
Në komunikatë thuhet se do t’i ndjekin procedurat edhe në Gjykatën Kushtetuese nëse kjo është e nevojshme, për ta kundërshtuar vendimin e Inspektoratit të Punës.
Kjo është komunikata e plotë:
KEDS dëshiron të sqarojë opinionin publik se ka kundërshtuar në gjykatë vendimin e Inspektoriatit të Punës, që ka vendosur në favor të ankesës së Federatës së Sindikatave të Pavarura “Elektrokosova” dhe nuk ka ende një vendim përfundimtar për këtë çështje. Ne e konsiderojmë vendimin e Inspektoriatit të Punës, kapërcim të kompetencave që i njeh Ligji.
Federata e Sindikatave të Pavarura “Elektrokosova” po kërkon nëpërmjet përmbaruesit dhe gjykatës (Aktvendimi C. P. nr. 3086/16 të datës 16 shkurt 2017, publikuar në media) që të ekzekutojë vendimin e Inspektoratit të Punës.
KEDS po e kundërshton në gjykatë edhe kërkesën për ekzekutim. Ne jemi të gatshëm që ta ndjekim procesin deri në Gjykatën Kushtetuese nëse kjo do të jetë e nevojshme për të mbrojtur të drejtat tona të ligjshme.
Ne besojmë se KEDS ka vepruar në përputhje të plotë me kërkesat e ligjeve të zbatueshme në Republikën e Kosovës kur ka mbyllur departamentin dhe pozicionet e tepërta të punës, që sollën ndërprerjen dhe mos-ripërtëritjen e kontratave të një numri punonjësish.
Ky nuk ishte aspak vendim i lehtë për KEDS-in, por kjo ishte e domosdoshme dhe ne bëmë sa ishte e mundur për të zbutur pasojat, dhe në të njëjtën kohë jemi të bindur se nuk shkelëm asnjë nga të drejtat e punonjësve.
E ritheksojmë edhe një herë, se rasti i ankesës së punëtorëve është duke u shqyrtuar nga gjykata kompetente, dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që mos të bëjnë deklarata të pabazuara që mund ta lajthisin opinionin.
KEDS beson në sistemin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të mos komentojë rreth këtij rasti, duke respektuar dhe mos-interferuar në sistemin e drejtësisë./Lajmi.net