Jones përfundon në spital

Phil Jones e ka lënduar krahun në ndeshje me Hull City dhe me këtë rast ëshë transportuar në spital. Mbrojtësi anglez u zëvendësua në pjesën e parë dhe pjesëmarrja e tij në Botërorin e Brazilit është vënë në dyshim.

Sport

07/05/2014 09:45

Mbrojtësi i Manchester United, Phil Jones është dërguar në spital pasi e dëmtoi krahun e tij në ndeshje me Hull City.

Jones e pati një duel me Maynor Figueroa tek korneri dhe u zëvendësua menjëherë, ndërsa gjiganti anglez ka raportuar se 22 vjeçari e ka lënduar krahun, duke e vënë në dyshim prezencën në Botërorin e Brazilit.

“Phil Jones ka shkuar në spital”, ka konfirmuar trajneri Ryan Giggs pas ndeshjes.

“Shpresojmë të jetë OK. Është shumë herët të flasim për gjendjen e tij. Duhet ta shohim se si do të shkojë, por nuk dukej mirë”, vazhdoi uellsiani.

Në vend të Jones u fut në lojë mbrojtësi Nemanja Vidic, për të cilin kjo ishte ndeshja e fundit në Old Trafford me fanellën e United, pasi gjatë verës do t’i bashkohet Interit.

Jones shihej si njëri prej mbrojtësve të rëndësishëm të përzgjedhësit Roy Hodgson për Botëror. Ai ka zhvilluar afro 100 ndeshje me ‘Djajtë e Kuq’, që kur iu bashkua atyre nga Blackburn në qershor të vitit 2011.