Jahjaga dhe Thaçi kërkojnë konsensus politik për Tribunalin

Presidentja Atifete Jahjaga ka pritur të premten kryeministrin Hashim Thaçi, me të cilin ka biseduar për nevojën për arritjen e konsensusit shoqëror dhe politik për siç është thënë, proceset e rënda, duke aluduar tek kërkesa për themelimin e një gjykate speciale për krime të luftës.

Lajme

18/04/2014 16:01

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga Presidenca, thuhet se është e domosdoshme për të siguruar që Kosova t’i përmbush obligimet e saj në fushën e drejtësisë dhe vazhdimit të mandatit të misionit të EULEX-it në Kosovë, të përshkruar në letër-këmbimin e diskutuar dhe pajtuar paraprakisht ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi vlerësuan se sado i rëndë të jetë i gjithë ky proces do të përqendrohet në individë dhe veprime individuale dhe nuk është gjykim i përpjekjeve kolektive të popullit për çlirim dhe pavarësi”.

Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi biseduan edhe për prezantimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe tërheqjen e investimeve, që do të mundësojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.