Ja pse nuk duhet të shikojmë shumë telenovela

Jo vetëm në ekranet e televizorit nëpër shtëpitë e secilit, por edhe në bar-kafe, kanalet e preferuara janë ato që shfaqin telenovela. Ato kanë ndikuar aq shumë në jetën e individëve, saqë shprehin trishtim nëse një ngjarje trajtohet ndryshe nga çfarë ata kanë parashikuar. Diçka e tillë ka ndodhur pas “vdekjes” së personazhit Sadna, ku në rrjetet sociale kishte pakënaqësi me zgjedhjen e regjisorit. Manjola Baçi, psikologe klinike, shpjegon lidhur me këtë fenomen, që ndikon negativisht tek target-grupi që i ndjek.

Lajme

05/02/2016 00:56

Dy ditë më parë u përfol në rrjetet sociale një nga telenovelat që transmetohet në një nga televizionet tona, duke marrë kështu të gjithë vëmendjen. Si e gjykoni ju këtë fenomen?

Shoqëria jonë ka vite që ndjek me kërshëri telenovela nga disa vende të ndryshme të botës, ku shembulli i jetës sociale apo tematika të trajtuara nga kultura dhe tradita e atyre vendeve kanë disa parime që bien ndesh me ditët e sotme. Ne si shoqëri vijmë nga një kohë me një kufizim të menduari dhe si rrjedhojë të kësaj, çdo gjë që shihet apo dëgjohet e marrin si të mirëqenë. Kjo duket e gabuar pasi media ka aftësi të manipulojë dhe të mbajë gozhduar në cilin do aspekt të programacionit që jep. Ky fenomen duhet të marri më tepër vëmendje nga psikologët e sociologët, në aspekt të edukimit që duhet t’i japi shoqërisë sonë, të largojë nga ekranizimi të tilla tematika që e fusin shoqërinë në disa mendime për ta parë të vërtetë atë që gjejnë aty dhe e shëmbëllejnë në jetën reale.

Rrallë herë ka ndodhur diçka e tillë. Çfarë mendoni se ka ndikuar këtë herë në këtë situatë?

Nuk ka një target-grup të përcaktuar moshe, se kush kategori moshe i ndjek telenovelat, por mendohet shtëpiaket, kjo nuk veçon burrat, djemtë apo vajzat, pasi për të kaluar kohën në mënyrë të tillë zgjedhin edhe të rinjtë shqiptarë. Telenovelat shihen si ngjarje të jetuara, jeta sociale, por aty ka intriga, dështime, zhgënjime, ambicie, dashuri të pamundura, që ngjasojnë me jetët reale të po këtyre njerëzve që i shohin, pra i bashkon diçka nga jeta e secilit që ata tërhiqen për ta parë, gjithashtu shkëputja nga realiteti, për të mbytur kohën, pasiviteti që ata kanë në jetën e tyre reale, mospjesëmarrja në aktivitete vitale, refuzimi nga jeta në grup, mosmarrëveshjet në çift ku i atribuohet krahasimit që ata bëjnë me telenovelat, me fjalë të tjera, vizualizimi bën që çdo gjë që shihet të konkretizohet. Edhe në këtë rast, ndjekja e telenovelave, të përfshin në një botë imagjinare, që nuk mund të jetë e vërtetë, por më tepër e përforcuar, duke frustruar edhe me tepër ndjenjat dhe emocionet që realisht njeriu i përjeton në jetën reale.

A është gjë e mirë të kushtëzohemi para ekranit për të parë telenovela?

Nuk është aspak e mirë që jeta jonë të krijojë varësisë nga subjekte që lënë individin pasiv, të izoluar nga jeta reale, të deformuar  në mentalitet dhe në fund të pakënaqur  me veten dhe për jetën që kanë bërë apo bëjnë.

Dëshira që kanë për të ndjekur telenovela apo telefilma është kthyer si një zakon, për të zënë kohën, për të hyrë në një tjetër dimension si për të thënë për tu shkëputur nga problemet personale. Kthehet në një obsesion, për të mos humbur asnjë serial televiziv, humbet interesi për të komunikuar, në biseda mund të flitet vetëm për telenovelat dhe sesi do jetë seria tjetër etj. Fëmijët janë tjetër target që përfshihen në telenovela, ky model ndiqet nga prindërit apo gjyshërit që i ndjekin në prani të fëmijëve. Kjo është e gabuar, pasi ka programe të posaçme për fëmijët, edukativ dhe frymëzues. Ata nuk mund të kuptojnë botën e të rriturve, konfliktet e tyre, por shohin debate, dhunë, mungesë komunikimi, dhe marrin të mirëqenë se kjo është e duhura./shekulli