Ja çka kërkojnë bizneset nga Isa Mustafa e Edi Rama

Dhoma Kombëtare Tregtare ka dhënë rekomandimet për dy qeveritë për lehtësira për biznes pas konsultimeve që kanë pasur me bizneset shqiptare nga të gjitha viset. Përfaqësuesit e saj nga Shqipëria, Kosova dhe nga trevat shqiptare kanë kërkuar përkrahje me qëllim të zhvillimit më të fuqishëm ekonomik.

Lajme

22/03/2015 11:06

Agim Shahini, president i Dhomës Kombëtare Tregtare, tha se janë gjashtëmbëdhjetë propozime të DHKT-së për Qeverinë e Shqipërisë dhe atë të Kosovës për mbledhjen e përbashkët të tyre me 23 mars në Tiranë. “Këto propozimet bëhen me qëllim që të bëhen hapa të rëndësishëm për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona”, tha Shahini.

Ai kërkoi që produktet e prodhuara në Shqipëri e Kosovë të trajtohen si produkte me prejardhje nga këto dy vende, pra çdo prodhim të jetë i pajisur me EUR 1. Ky është model më i avancuar në raport me marrëveshjen CEFTA. Duhet të hiqen taksat doganore në lëndë të parë, repromateriale dhe ambalazhime për të gjitha produktet dhe nga të gjitha shtetet, përveç nëse këto lëndë e parë, repromaterial dhe ambalazhim ka në sasi të mjaftueshme në dy shtetet.

“Të pranohen dokumentet zyrtare të organeve kompetente të dy shteteve, si të doganave dhe organeve tjera të kontrollit të kualitetit dhe cilësisë”, tha Agim Shahini. Ai kërkoi po ashtu që të implementohen arkat fiskale në të dy shtetet, si aktivitet që paraqet një kulturë blerëse dhe barazim në mes akterëve ekonomik të kategorive të njëjta. Kërkohet të luftohen informaliteti dhe korrupsioni si dukuri negative të shoqërisë kombëtare. Të hiqet dorë nga ndikimi politik dhe individual nga organet e drejtësisë, prokurimit publik, të kontrollit dhe kompanive publike. Të trajtohen bizneset të barabarta dhe jo politika selektive dhe favorizuese apo të grupeve të interesit, sepse kjo e dëmton konkurrencën e drejtë.

Luan Bregasi, zëvendëspresident i Dhomës Kombëtare Tregtare, dha propozime që të krijohet ambienti ligjor dhe pako e re investuese për prodhimtari rentabile dhe mbushje të qëndrueshme të buxhetit shtetëror. Propozimi ishte që radiotelevizionet publike të jenë në funksion të promovimit të prodhimtarëve të dy shteteve, në funksion të ngritjes së informimit për sasinë dhe cilësinë që nxjerrin këto prodhimtari. Bregasi kërkoi që planifikimi i ekskursioneve të gjeneratës së re të nxënësve në të dy shtetet, duke iu bërë vizita ekonomive prodhuese dhe këta të jenë pionierë të gjenerimit të konsumit të produkteve kombëtare. “Të identifikohen dhe mbështeten top kompanitë mbarëkombëtare që të bëhen brende të njohura me qëllim të eksportit për në vendet e BE-së dhe më gjerë, tha ai.

Ramiz Kelmendi, anëtar i kësaj dhome kombëtare tregtare, numëroi propozimet tjera, ku kërkohet të dizajnohet një program i ri i lidhjeve zinxhir prodhues- përpunues dhe qendrave tregtare në mes dy vendeve, për shembull, përpunues nga Kosova-prodhimi final- Shqipëri dhe tregu – qendrat tregtare dhe anasjelltas në këtë rast të njihet Certifikata EUR 1. Kelmendi, tha se duhet të subvencionohen produktet me lirim të TVSH-së për 2 % për një periudhë katërvjeçare, që janë të prodhuara në Shqipëri dhe Kosovë, me qëllim të ngritjes së interesit për të konsumuar dhe tregtuar me këto produkte kombëtare. Të promovohen produktet kombëtare në trevat mbarëshqiptare, rajonale, evropiane dhe më gjerë. Të pranohet nga dy qeveritë nga një përfaqësues i Dhomës Kombëtare Tregtare si vëzhgues në mbledhjet e rregullta qeveritare. Përfaqësuesit e Dhomës Kombëtare Tregtare kanë kërkuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Kosovës, Isa Mustafa, që këto 16 propozimet t’i marrin me seriozitet dhe t’i realizojnë e zbatojnë në praktikë.