Isufi: Jemi përgatitur mirë për Malmon

Drita do të përballet me gjigantin e futbollit suedez, Malmon, ndërsa trajneri Bekim Isufi beson se skuadra e tij do t’i ketë rastet e veta.

Sport

09/07/2018 18:47

Isufi thotë se e ka analizuar lojën e kundërshtarit, ndërsa pret shumë nga lojtarët e tij që tu jap sa më pak hapësira kundërshtarëve.

Ai shtoi se është krenar që e përfaqëson futbollin kosovar, ndërsa beson që tifozët do të jenë shtysë e madhe për lojtarët.

“E dimë rëndësinë e ndeshjes, e dini se sa vite është dashur të kemi ndeshje historike. Pas dy ndeshjeve që i patëm në Gjibraltar, i kemi bërë të gjitha përgatitjet e mundshme, aq sa kemi pasur mundësi. Do të luajmë kundër një kundërshtari që e dini të gjithë se për çfarë ekipi bëhet fjalë”.

“Kemi pasur më shumë kohë për t’u përgatitur për lojën ndaj Malmos. I kemi bërë përgatitjet e duhura, të cilat kemi menduar që na nevojiten. E kemi bërë analizën e kundërshtarit. Kemi respekt për kundërshtarin, nuk diskutohet se përvoja dhe niveli i futbollit flet për Malmon dhe ky është ekip favorit. Por, ne nuk do të hyjmë të dorëzuar, do të mundohemi ta bëjmë maksimumin”.

“E kam besimin te këta lojtarë që do ta japin më të mirën. Presioni i vetëm yni është që të shfaqemi mirë dhe nuk dyshoj për këtë”, deklaroi Bekim Isufi.

“Jemi krenarë që po e prezantojmë futbollin kosovar në mënyrën më të mirë të mundshme. Është vetëm viti i dytë yni ky që luajmë në Evropë. Është shumë e rëndësishme që Drita dhe Prishtina të kualifikohen në fazën e dytë. Shpresoj që vitin tjetër në Evropë të garojnë tri ekipe kosovare”, ka thënë Isufi.

Isufi në fund shpreson që Drita ta ketë ditën më të mirë të saj dhe ta nxjerrë një rezultat të mirë.