Guardiola nuk ndryshon

Trajneri i Bayern Munichut, Pep Guardiola nuk e ka ndërmend të ndryshojë filozofinë e lojës së tij, por kërkon nga klubi të vendos nëse ai është njeri u duhur për të drejtuar skuadrën.

Sport

02/05/2014 13:52

Trajneri i Bayern Munichut, Pep Guardiola ka insistuar se do t’i qëndrojë besnik filozofisë së tij dhe theksoi se është i gatshëm të largohet nëse klubi mendon se ai nuk është njeriu i duhur për detyrë.

Ish trajneri i Barcelonës u kritikua ashpër gjatë javës për shkak të stilit të lojës me posedim që nuk kreu punë pasi Bayern humbi me rezultat të përgjithshëm 5:0 ndaj Real Madridit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Mirëpo, Guardiola nuk e ka ndërmend të ndryshojë filozofinë e lojës së tij vetëm që kryesia e Bayernit të jetë e lumtur.

“E kam filozofinë time dhe do ta përdori atë kundër Hamburgut, kundër Stuttgartit, në finalen e Kupës së Gjermanisë dhe vitin e ardhshëm”, deklaroi ai.

“Nuk mund të jem trajner i Bayernit nëse kam gjëra me të cilat nuk pajtohem. Kjo do të ishte e keqe për klubin, për futbollistët, që janë inteligjentë. Ata nuk do të më besonin nëse nuk do të isha i vërtetë me veten. I takon klubit të vendos nëse unë jam trajneri i duhur. Kjo nuk është punë e imja”, u shpreh ai.

Guardiola udhëhoqi Bayernin drejt titullit në Bundesligë në sezonin e parë në detyrë, ndërsa ekipi ende mund të mbyll edicionin me sukses të dyfishtë. Bayern takohet me Borussia Dortmundin në finalen e Kupës së Gjermanisë më 17 maj.