Gjermania kërkon punëtorë. Një milion vende të lira pune
Sot në Gjermani ka mbi një milion vende të lira pune dhe rreth 3 milionë vetë që kërkojnë punë. “Një disbalancë e tillë, - thotë “Deutsche Welle”, duke cituar ekspertë të fushës, - lidhet me transformimin e tregut të punës”.
Lajme
Në disa degë, si për shembull në bujqësi apo pylltari, nuk ka më nevojë për forca të reja. Ndërsa në mjaft sektorë të tjerë, kërkesa është tepër e lartë.
Alexander Kubis, nga Instituti “IAB”, thotë se vendit nuk i mungojnë punëtorët e kualifikuar. Por sërish, disa zona dhe sektorë ndeshen me probleme të mëdha për gjetjen e fuqisë punëtore.
Vende të lira pune ka me bollëk në sektorin e logjistikës dhe atë të magazinimit. Mungesë dhe nevojë vërehet gjithashtu në sektorin e ndërtimit, atë të shëndetësisë dhe të përkujdesjes mjekësore.
Sipas Kubis, një sërë ndërmarrjesh shpenzojnë sot më tepër kohë, sesa në vitin 2010, për të gjetur një person të përshtatshëm për vendin e punës. Kjo periudhë, aktualisht kërkon e pakta 82 ditë, ndërsa përpara 7 vitesh zgjidhej brenda 70 ditëve.
Sipas tij, kriter kryesor i punësimit mbetet shkollimi dhe cilësia e tij, e kjo gjë shihet jo vetëm te profesionet akademike, por edhe te personat që përfundojnë shkollat profesionale.