Gijotina e diktaturës dhe ‘populli’ me kokë të prerë

Dhe meqenëse Qosja ka përherë të drejtë, kushdo tjetër që s’bie dakord me ndonjë pikëpamje të tij, e ka gabim.

Opinion

29/12/2013 09:14

Pas kritikës që i kam adresuar akademikut Rexhep Qosja ditë më parë në një artikull lidhur me vlerësimin e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, kam hasur edhe në disa reagime të tipit: U bë dhe Andrea Stefani të kritikojë të madhin Qose! Pavarësisht nga motivet që i ngjiznin (një pjesë e tyre ishin qartazi prej berishianësh kurse pjesa tjetër enveristësh) në ato reagime më tërhoqi vëmendjen prirja paragjykuese për të shmangur arsyetimin në formën: Akademiku Qosja ka përherë të drejtë. 

Dhe meqenëse Qosja ka përherë të drejtë, kushdo tjetër që s’bie dakord me ndonjë pikëpamje të tij, e ka gabim.

***

Episodi është një rast për të kritikuar atë “forma mentis” që çon në vrasjen e aftësisë për të arsyetuar. Për të kritikuar atë lloj silogjizmi fals që, mbështetur mbi premisa të gabuara, të çon në konkluzione të gabuara.

Në fakt, është tipikisht mënyra sesi mendimi, i shndërruar në një kufomë të gjallë, lëviz në kohë diktaturash. Nën diktaturën fashiste, italianët i ndërtonin mendimet mbi premisën idhujtare: Duçja ka gjithmonë të drejtë! Nën diktaturën naziste gjermanët i ndërtonin mendimet mbi premisën e gabuar: Fyhrer ti je Gjermania! Nën diktaturën komuniste, shqiptarët i themelonin konkluzionet, pretencat gjyqësore deri edhe kumtesat “shkencore”, mbi premisën e gabuar: Partia dhe Enveri kanë gjithnjë të drejtë! Thuajse askush, madje edhe në vetminë e vet, nuk guxonte të gërmonte për të zbuluar pse-në e “pagabueshmërisë” permanente dhe totale të liderit. Dukej sikur nuk donin ta stërvitnin trurin me atë ushtrim që mund t’i çonte në të vërtetën e rrezikshme se lideri, në fakt, jo gjithmonë kishte të drejtë.

Dhe do të duheshin tragjeditë historike, fundet e përgjakshme apo të palavdishme të marrëzive historike të frymëzuara dhe udhëhequra nga liderët, që e vërteta e fshehur nga frika e terrorit të derdhej në sheshe në formë protestash kundër liderëve që, të mbështetur dhe duartrokitur verbërisht nga “populli”, e paskëshin pasur gabim!

***

Shkurt, diktaturat kishin krijuar një rrjet autoritetesh të jashtme që nuk e lejonin njeriun të mendonte me kokën e vet. E persekutonin, e internonin, burgosnin madje edhe pushkatonin po të guxonte të bënte mëkatin armiqësor të të arsyetuarit. Dhe kjo është si të jesh pa kokë.

Ndaj mund të themi se nga Revolucioni Francez e këtej, diktaturat themelohen jo mbi prerjen jakobiniste të kokës së mbretit, por mbi prerjen e kokës së popullit. Të gjitha republikat e socializmit real lindor, ishin republika pa kokë.

Në tendencën jakobiniste për t’i prerë kokën çdo mbreti, duket sikur republika i preu kokën edhe popullit mbret pra, preu kokën e vet. Me një lloj tjetër gijotine. Në fakt, me një sistem që si një lavatriçe shpëlante trutë e njerëzve, duke i bërë kokat e tyre të paafta për të arsyetuar, për të krijuar bindje autentike, të vetat.

***

Pas rënies së diktaturave nazifashiste, për shkak të disa rrethanave që nuk mund të shtjellohen këtu, shumica e italianëve apo gjermanëve u çliruan nga kjo robëri mendore, gjë që shënon edhe ringjalljen e tyre si demos, si popuj.

Në Shqipëri, edhe pse diktatura komuniste ka rënë prej më shumë se dy dekadash, ky proces i çlirimit të mendjes nga prangat e kulteve apo të një apo disa autoriteteve të jashtme has pengesa të reja. Kush janë këto pengesa të reja? Janë kultet e reja që vazhdojnë t’i urdhërojnë shqiptarët si të mendojnë. Dhe ata u binden po si në diktaturë. Në themel të kësaj bindjeje prej delesh është përsëri frika. Në diktaturë qe frika nga plumbi, burgu apo internimi.

Në “demokraci”, në kushte kur nuk ka institucione dhe një infrastrukturë sociale që të mbrojë realisht të drejtat dhe liritë e njeriut, është frika nga varfëria, frika e të mbeturit vetëm dhe pa mbrojtjen e liderit e të partisë. Nga kulti total dhe monolit i një lideri të vetëm, kaluam në situatën e pluralitetit të kulteve. Nga një bari tani kemi disa barinj. Dhe kemi po atë masë njerëzish që i shkon pas e ndarë në tufa më të vogla por po aq të bindura dhe të nënshtruara si delet. Po aq të bindura sa tufa e madhe e kooperativës së Enverit që e kishte emrin Republika Socialiste e Shqipërisë. Kjo tufë ishte “populli”. Një realitet i vërtetë oruellian…

***

Kulti i Enverit u zëvendësua menjëherë me kultin e Sali Berishës, të Fatos Nanos, që dominuan 15 vitet e para të tranzicionit. Kulti i Nanos i përket tashmë historisë, ndërsa ai i Berishës këmbëngul të jetë aktiv në politikë. Aktualisht Berisha po u bën thirrje deleve të tij të dalin në protesta për “buxhetin”. Në fakt e ka fjalën për buxhetin e klanit apo familjes së vet. Dhe delet, që nuk guxojnë të mendojnë se Saliu nuk ka të drejtë, bëhen gati ta ndjekin pas në humnerë.

***

Dhe jo vetëm nuk guxojnë të mendojnë kundër, por i turren me egërsi prej ujku gjithkujt që guxon të vërë në dyshim pagabueshmërinë e Berishës. Ashtu si në kohën e Enverit, ashtu si në kohën e Hitlerit apo Musolinit, kulti i Berishës ka mbi dy dekada që ka zënë vendin e superunit në ndërgjegjen e fanatikëve të tij. Si dikur Enveri, sot Berisha është për disa babai i madh që i mëson fëmijët jo vetëm si të veprojnë, por edhe si të “mendojnë” dhe çfarë të “mendojnë”.

***

Ishte me interes të vëreje, por edhe e dhimbshme, që në reagimet kundër kritikave që i drejtoja Qosjes për Enverin si Hitler, u bënë bashkë armiqtë klasikë, enveristët nga njëra anë dhe berishistët nga ana tjetër.

Pavarësisht se në artikull kritikoja edhe kultin e Berishës, enveristët ishin të zemëruar, sepse duke kritikuar Qosjen, kisha guxuar të godisja Enverin, vlerësimin e “moderuar” që Qosja jepte për ish-diktatorin. E vë në thonjëza fjalën moderuar, sepse ruaj mendimin që çdo moderacion ndaj diktaturës së djeshme është një hapje e deriçkës për çdo diktaturë të nesërme. Diktaturat janë fundamentaliste dhe moderacioni ndaj fundamentalizmit nuk mund të mos jetë fundamentalizëm.

***

Të dyshosh është shumë e rëndësishme për mendimin kritik. Dekarti e quante aftësinë për të dyshuar si provën më fondamentale të ekzistencës së njeriut.

Një popull që nuk dyshon, që nuk ngre pikëpyetje për ato që thonë dhe bëjnë liderët e tij, por vetëm bindet dhe u konformohet liderëve, nuk ekziston më si popull, si demos. Është thjesht një turmë, një kope.

Kanë kaluar më shumë se dy dekada që nga koha kur ra ai sistem që të priste kokën, në kuptimin vërtetë të fjalës, po të thoje se Enveri nuk kish të drejtë. Dhe nuk kemi mundur ta çrrënjosim nga jeta jonë vesin e konformimit me liderët e politikës. Tani duket sikur këtë ves poshtërues dhe impotencë të njerëzve për të arsyetuar me kokën e vet, duan ta fusin edhe në gazetari, duke krijuar idhuj të tjerë të tipit: Filani është i madh dhe ka përherë të drejtë. Ndaj mos guxo ta kundërshtosh!

Gazeta “Shqip”