Gara e ngushtë

Kandidatët e mbetur për të garuar për Kryetarë në 25 Komuna, prej sot fillojnë t’i kërkojnë votat për ta fituar pushtetin lokal. I kanë pesë ditë për t’i bindur qytetarët, për herë të dytë. Në një garë që është tepër e ngushtë.

Lajme

25/11/2013 10:00

Kandidatët për Kryetarë në 25 Komunat që kanë shkuar në balotazh do t’i rikthehen fushatës zgjedhore për 5 ditë më radhë.

Prej sot e deri të premten, opinioni do të përfshihet sërish nga premtimet edhe debatet elektorale, kësaj radhe me vetëm dy pretendentë për ta fituar pushtetin lokal për katër vjetët e ardhshme.

Me vendim të Komisionit Qendror Zgjedhor është caktuar që fushata për zgjedhjet e raundit të dytë (balotazhit) të zgjasë vetëm 5 ditë, ndërsa të shtunën do të jetë ketë heshtje zgjedhore.

Në zgjedhjet e balotazhit, përfshihen 25 komuna, ndërsa në komunën e Zveçanit do të rivotohet vetëm në 3 vendvotime.

Numri i votuesve të regjistruar për të marrë pjesë në raundin e dytë është 1. 371. 524.

Gara më e nxehtë në këtë fushatë pesëditore pritet të zhvillohet në Komunat ku Kandidatët kanë një diferencë të vogël në numrin e votave.

Interesim të veçantë zgjon gara në Prishtinë mes Isa Mustafës së LDK’së dhe Shpend Ahmetit të Vetëvendosjes.

Mustafa prin me 43 për qind të votave, në krahasim me Ahmetin që ka arritur të ketë 31.58 për qind të votave.

Edhe në qytetin e dytë për nga madhësia në vend, në Prizren, pritet një garë e nxehtë, pas disa marrëveshjeve për koalicion nga dy garuesit e balotazhit, Ramadan Muja nga PDK dhe Eqrem Kryeziu nga LDK.

Muja, i cili është renditur i pari me vota me gjithsej 36.95 për qind, do të mbështetët nga disa parti të komuniteteve si dhe koalicioni AAK-LDD që ka grumbulluar rreth 9 për qind. Ndërsa Kryeziu, i cili në raundin e parë ka dalë i dyti me rreth 25 për qind, ka gjetur mbështetjen e Kryetarit të Bashkimit Demokraik, Zafir Berisha, që ka rreth 12 për qind të votave.

Në Pejë e Gjakovë përveç që raundi i parë ka sjellë rezultate të ngushta mes Kandidatëve, këto zgjedhje në këto dy komuna kanë zbritur Kryetarët aktualë në vendin e dytë me numrin e votave.

Në Pejë, prin me numrin e votave Kandidati i LDK’së, Gazmend Muhaxheri me 40. 85 për qind, i pasuar nga kundërshtari i tij i balotazhit, Kandidati i koalicionit AAK-LDD dhe Kryetari aktual, Ali Berisha me 36.12.

Përderisa Berisha ka marrë mbështetje për garën e raundit të dytë nga PDK’ja e cila kishte 15.22 për qind të votave, Muhaxheri ka në përkrahje AKR’në e cila ka grumbulluar vetëm 0.47 për qind të votave në raundin e parë.

Në Gjakovë, raundi i parë është përcjell me një konkurrencë të fortë mes Kandidatëve të AKR’së dhe koalicionit AAK-LDD. Mimoza Kusari Lila nga AKR është renditur e para me 43.43 për qind të votave dhe do të kandidojë në balotazh kundër Kryetarit aktual nga koalicioni AAK-LDD, Pal Lekaj, i cili ka marrë 35.80 për qind.

Edhe në Gjilan, raundi i parë i zgjedhjeve ka bërë që qeverisja aktuale e Kandidatit të PDK’së, Qemajl Mustafa, të ndëshkohet nga votuesit duke mos i krijuar komoditetin që në zgjedhjet e balotazhit të hyjë si i pari.

Lutfi Haziri nga LDK, në raundin e parë është renditur i pari me 40.98 për qind, ndërsa ai PDK’së Qemajl Mustafa me 25.80 për qind.

Në Mitrovicë dhe Ferizaj, gjendja paraqitet pak më ndryshe. Kandidatët e PDK’së që ka qeverisur mandatin e kaluar me këto qytete, është votuar sërish si e para.

Kandidati i PDK’së në Mitrovicë, Avni Kastrati, ka marrë 42.80 për qind të votave në krahasim me kundërshtarin e tij nga AKR, Agim Bahtiri, i cili është renditur i dyti me 21. 83 për qind.

Në këtë qytet, Kastrati do të mbështet në zgjedhjet e balotazhit nga koalicioni AAK-LDD dhe nga Partia e Drejtësisë. Hiç më pak mbështetje nuk do të ketë edhe Bahtiri, i cili përkrah vetës ka LDK’në dhe kandidatin e pavarur Nexhmedin Spahiun.

Në Ferizaj, rezultati në raundin e parë ishte i ngushtë mes të kandidatit të PDK’së Agim Aliu me 39.20 për qind dhe atij të LDK’së Muharrem Svarqa me 34 për qind.

Aliu në garën e balotazhit do të përkrahet nga PD, ndërsa Svarqa nga koalicioni AAK-LDD.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të gjitha përgatitjet për të organizuar këto zgjedhje.

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezaj ka thënë për lami.net se gara për balotazh pritet të mbahet në përputhje me të gjitha kriteret e caktuara me ligjin e zgjedhjeve lokale

“Raundi i Dytë i Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave do të mbahet më 1 dhjetor, ashtu siç është vendosur edhe zyrtarisht me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

“Në 25 komuna të Republikës së Kosovës do të mbahet ky raund, në gjithsej 594 Qendra të Votimit me 1 816 Vendvotime. Numri i votuesve në Listën Përfundimtare të Votuesve në këto 25 komuna është: 1 371 524”.

Edhe pse raundi i parë i këtyre zgjedhjeve lokale ka marrë notë pozitive nga i gjithë faktori ndërkombëtar, përfaqësues të korit diplomatik në vend u kanë bërë thirrje partive dhe institucioneve relevante që të mos zhgënjejnë në garën e balotazhit.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ian Cliff, në një prononcim të bërë ditë më parë, kërkoi që standardet e treguara në raundin e parë të zgjedhjeve të mbahen edhe gjatë balotazhit.

Ai ka thënë se të gjitha partitë duhet ta kenë të qartë se do të ketë vëzhgues të BE’së duke i monitoruar zgjedhjet e raundit të dytë.

“Është shumë e rëndësishme që standardet e mira të përgjithshme që janë mbajtur në raundin e parë, të mbahen edhe në të dytin”.

“Do të ishte turp po të kishte kthim prapa”, tha Cliff.

Përderisa, në zgjedhjet e raundit e parë kishte vetëm pak komuna në të cilat Kryetari ishte përcaktuar që në raundin e parë, mbetët që balotazhi të japë fund përcaktimit të Kryetarëve të cilët do të qeverisin për një mandate të ardhshëm katërvjeçar.

Këto janë 25 komunat në të cilat do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve:

1. Gjakovë

2. Gjilan

3. Dragash

4. Klinë

5. Kamenicë

6. Mitrovicë e Jugut

7. Lipjan

8. Novobërdë

9. Obiliq

10. Rahovec

11. Pejë

12. Prishtinë

13. Prizren

14. Shtërpcë

15. Suharekë

16. Ferizaj

17. Viti

18. Vushtrri

19. Malishevë

20. Junik

21. Graçanicë

22. Ranillug

23. Partesh

24. Kllokot

25. Mitrovica e Veriut

26. Në Komunën e Zveçanit do të rivotohet në tri Vendvotime.