Futbollisti shqiptar shkon në spital në gjendje kome

Ndeshja e vlefshme për Javën e 23’-të të Superligës shqiptare mes Vllaznisë dhe Laçit u mbyll në barazim pa gola në stadiumin “Loro Boriçi”, në Shkodër.

Sport

27/02/2016 22:24

Në këtë takim nuk munguan edhe incidentet në fushë. Pak minuta para se të përfundonte koha e rregullet e takimit, futbollisti i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, u dërgua në spitalin rajonal të Shkodrës në gjendje të rëndë.

Përfaqësues të stafit mjekësor thanë se gjendja e tij ishte e rëndë pas goditjes që pësoi në kokë me lojtarin e Laçit Valdano Nimani. Ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri, transmeton Panorama Sport.

“Me ndihmën që i dhamë për momentin arriti një farë koshience. Këtu ka qenë koshient dhe është drejt spitalit nën mbikëqyrjen e mjekëve”,-tha masazhatori i Vllaznisë, Ruzhdi Meçi për “Radio Tirana”.

Sipas raportimeve të para, Gurishta mbërriti në gjendje kome në spital, ndërsa burime për “Panorama Sport” konfirmuan se futbollisti është jashtë rrezikut për jetën dhe sonte do të qëndrojë nën mbikëqyrjen e mjekëve të Shkodrës.