Emocione të përziera për Januzajn

Mesfushori i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj ka kujtime të mira, por edhe të këqija, nga ballafaqimet e kaluara me kundërshtarin e sotëm në Premierligë, Sunderland.  

Sport

03/05/2014 14:59

Mesfushori i talentuar i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj ka kujtime të përziera para duelit me Sunderlandin.

Gjatë një interviste me Inside United, magazinën zyrtare të klubit, ylli kosovar ka komentuar stinorin e tij të parë me ekipin senior në Old Trafford dhe përkujtoi disa prej momenteve kyçe. Sunderland ishte kundërshtari ndaj të cilit ai bëri debutimin si titullar në Stadium of Light në tetor kur realizoi të dy golat në fitoren 2:1.

“Kjo ishte një prej ditëve më të mira në jetën time”, deklaroi Januzaj. “Shënimi i dy golave në debutimin tim. I dyti ishte më i vështirë sepse isha në vijë të zonës dhe ishte e vështirë për t’u ekzekutuar. Vetëm godita dhe shpresoja se topi dot hynte brenda. Isha i lumtur atë ditë dhe gjithmonë do të mbaj kujtime të veçanta prej saj”.

Edhe pse Januzaj ka bërë paraqitje dinamike nga këndvështrimi personal, gjërat nuk kanë shkuar mirë kundër skuadrës së Gus Poyet, në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale në Capital One Cup, në janar të këtij viti. United fitoi 2:1 duke barazuar rezultatin e përgjithshëm në 3:3 dhe fituesi u desh të përcaktoj pas penalltive.

Goditja e Januzajt nga pika e bardhë u prit nga Vito Mannone, dhe gabimi ishte goditje e rëndë për tinejxherin.

“Humbja nga Sunderland është kujtim i keq. Mendoj se ishte dëshpërimi im i parë sepse humba një penallti dhe ne nuk mund të fitonim, andaj ishte gjëja ime e parë e keqe për klubin”.

“E di se humbëm edhe disa penallti të tjera por doja ta shënoja timen. Ishte shumë e vështirë sepse pas lojës shtesë e pastaj penalltive, ishte një natë e gjatë. Ishte ndjenjë e keqe që e humba. Ju mund të mësoni nga gabimet e juaja. E di se herën tjetër, duhet të hyjë brenda”.

Januzaj mund të përmirësohet sot në duel me Sunderlandin, nëse menaxheri i përkohshëm Ryan Giggs vendos ta inkuadrojë në lojë.