“Emergjencë” në Nevada, zbrazen dyqanet e marijuanës

Autoritetet në Nevada po konsiderojnë marrjen e masave të emergjencës... për shkak të mungesës së marijuanës!

Fun

13/07/2017 14:38

Kërkesa për këtë bimë ka qenë mjaft e madhe që prej 1 korrikut, kur në këtë shtet amerikan u legalizua përdorimi personal. Sipas mediave lokale, problemi nuk qëndron tek burimet, por tek shpërndarësit që mungojnë.

Gazetarët në Nevada e kanë trajtuar me mjaft humor situatën, duke thënë se askujt nuk do t’i kishte shkuar mendja se do të mungonin shpërndarësit e një droge të ligjshme. Por, në fakt, problemi është disi më teknik, pasi ligji i ri i jep të drejtën e shpërndarjes së marijuanës për publikun bizneseve të alkoolit, por shumë prej tyre nuk kanë plotësuar kushtet e licencës.

Kjo bëhet e ditur nga Departamenti i Taksave të Nevadës, i cili publikoi një deklaratë emergjence, duke i hapur rrugën autoriteteve lokale që të marrin masat e nevojshme të emergjencës për t’u përballur me mungesën e marijuanës.

Zyra e Taksave tha se 47 dyqanet në shtet që po shesin aktualisht marijuanën po i mbarojnë me shpejtësi rezervat, pasi kërkesa ka kaluar çdo parashikim të industrisë. /Lajmi.net/