Dy vite e gjysmë burg Messit për armëmbajtje pa leje
Nuk është Leo Messi por vëllai tij, Matias Messi.
Sport
Të pasurit të mbiemrit Messi në Argjentinë nuk të garanton përfitime apo paprekshmëri përpara ligjit.
Vërtetimi i kësaj vjen këtë të premte, pasi është mësuar zyrtarisht vendimi i një procesi gjyqësor të zhvilluar ditën e djeshme në Gjykatën e Rosarios, rreth 300 km në veri të Buenos Airesit.
Në fakt nuk bëhet fjalë për Lionel Messin, “pleshtin” e Barcelonës dhe Argjentinës 5 herë fitues të “Topit të Artë”, por për vëllanë e tij, Matias Messi.
Ai është fëmija më i madh në familjen e futbollistit argjentinas, por është dënuar me dy vite e gjysmë burg për armëmbajtje pa leje.
Më 30 nëntor të vitit të kaluar, Matias Messi u ndalua pasi u shpëtua nga një varkë që ndiqte rrjedhën e një lumi, transmeton “TCH”.
Atij iu gjet një armë e kalibrit 380, por vëllai i futbollistit nuk ishte në gjendje të shpjegonte motivin e zotërimit të saj.