Droga nga Shqipëria merr përmasa alarmante, grekët kapin 2 tonë hashash (Video)

Marina detare greke, në bashkëpunim me atë italiane, daneze dhe ukrainase, pjesë e misionit FRONTEX, ka ndaluar 3 trafikantë shqiptarë që po transportonin mbi 2 tonë lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali me një motoskaf.

Lajme

04/02/2017 19:47

Operacioni për ndjekjen e tyre, që ka nisur pasditen e së premtes dhe ka zgjatur për disa orë, ka filluar me sinjalizimin e Agjencisë për Rruajtjen e Kufijve Evropianë, FRONTEX, që ka pasur informacion së trafikantët shqiptarë do të transportonin nga Shqipëria drejt brigjeve italiane një sasi shumë të madhe të drogës.

Menjëherë janë mobilizuar shërbimet e Antidrogës nga shumë shtete, të koordinuara nga autoritetet portuale greke, që kishin në dispozicion një helikopter që ka mbërritur nga Athina, si dhe avionë të vegjël të forcave italiane, daneze dhe dy shteteve të tjera evropiane.

Sapo është identifikuar një motoskaf që lëvizte me shpejtësi nga Shqipëria drejt brigjeve veriore të Korfuzit ka filluar edhe ndjekja e tij, por trafikantët kur kanë pikasur se po i ndiqnin, kanë ndryshuar drejtim në afërsi të ishullit të Othonit dhe janë drejtuar drejt brigjeve shqiptare.

Ndjekja ka vazhduar edhe në ujërat e Shqipërisë, pasi është marrë leje nga organet shqiptare. Trafikantët ndërkohë kanë arritur të hedhin në det një pjesë të madhe të ngarkesës dhe kanë përplasur motoskafin në shkëmbinjtë e brigjeve shqiptare dhe janë larguar.

Forcat e Marinës greke kanë mbledhur deri tani të paktën 110 thasë dhe trupat italiane mbi 12 të tjerë, me një peshë totale prej gati 2 tonë lëndë narkotike. Ndërkohë, motoskafi është rimorkuar dhe është çuar në Korfuz, ku edhe po kryen hetimet për ngjarjen.

Gjithashtu, në bashkëpunim me forcat shqiptare dhe ato ndërkombëtare, antidroga greke po vazhdon kërkimet për tre trafikantët që ndodheshin në skaf, si dhe për mbledhjen e thasëve të tjerë me hashash që ata kanë hedhur në det.

YouTube player