Del rivali i ri i Tesla – Faraday Future FF 91 (FOTO)

Kompania Faraday Future do të prezantohet në International Consumer Electronics Show (CES 2017) në Las Vegas me prototipin e makinës së parë elektrike me emrin FF 91.

Auto & Tek

04/01/2017 20:51

Prodhuesi ka deklaruar se FF 91 do të përdorë kapacitetin e baterisë prej 130 kWh dhe katër motorë elektrikë, me një total të prodhimit 1,050 kuaj fuqi dhe çift rrotullues maksimal deri në 1.800 Nm. Në këtë kompani amerikane pretendohet se FF 91 është në gjendje të përshpejtojë nga zero në 96 km/h (0-60 mile në orë) për vetëm 2.39 sekonda.

Kur është fjala për autonominë e vozitjes, makina, në përputhje me standardet EPA me bateri plotësisht të ngarkuar, mund të kalojë më shumë se 600 km. Bateritë janë zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë LG Chem, ndërsa prodhuesi pretendon se duhen 4.5 orë për t’u ngarkuar me kapacitet 50% në prizat me 240 V.

Faraday Future thekson se FF 91 ofron sistem auto-pilot, por detajet për nivelin e implementimit të teknologjisë vetë-vozitëse ende nuk janë zbuluar. Siç thonë ata, makina përdor 13 radarë me rreze të shkurtë dhe të gjatë, 10 kamera me rezolucion të lartë, 12 sensorë ultratingull dhe lidarin 3D.

FF 91 ka një sistem automatik parkimi, si përgjigje të teknologjisë së ngjashme që përdoret nga modelet Tesla.

Në çdo pyetje lidhur me çmimin, kompania ka qëndruar e heshtur duke vënë në dukje se është në pyetje “një makinë shumë luksoze”. Megjithatë, është spekuluar se kostoja e FF 91 do të jetë midis 150,000 dhe 200,000 dollarë./GazetaExpress/.