De Biasi tregon ku dëshiron të jetë trajner pasi të largohet nga Shqipëria

Gianni de Biasi po planifikon të ardhmen larg Shqipërisë.

Sport

13/03/2017 17:53

Ndonëse sa herë është në vendin tonë deklaron se zëra të tillë nuk janë të vërtetë, përtej Adriatikut nuk ngurron të tregojë edhe ku do të dëshironte të drejtonte pasi t’i jepte lamtumirën kuqezinjve.

“Për momentin jam mirë në Shqipëri, edhe për faktin se kam arritur të transmetoj një mesazh. Nuk jam këtu për paratë por për të krijuar një mentalitet ndryshe, pasi unë mendoj se me të vërtetë mund të fitojmë. Dhe kjo është thelbësore.

Propozime të tjera? Nuk e mohoj që do të më pëlqente të drejtoja në Spanjë apo Angli, ose ndoshta të drejtoja një Kombëtare tjetër. Por më parë, sigurisht që është kjo aventurë. Unë nuk kam njerëz me cilësinë e Italisë, por çdokush hedh në fushë armët e veta. Pavarësisht cilësisë së italianëve do të bëjmë një ndeshje të bukur”, premtoi De Biasi në një intervistë të dhënë për “La Tribuna di Treviso”.

Pikërisht ndeshja ndaj Italisë është ajo që për të cilën tekniku i kuqezinjve po përgatitet me mjaft kujdes gjatë këtyre ditëve. Ai është i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë aspak e lehtë ndaj të kaltërve në një duel të cilin e sheh si vendimtar për fatet e të dy skuadrave.

“A po i përgatit një rreng Venturës? Nuk është e lehtë. Sigurisht që e njoh mirë Italinë, nuk është hera e parë që vihem përballë saj. Jam ndeshur me të në miqësore në nëntorin e vitit 2014, kur ishte trajner Antonio Konte.

Por është e qartë se këtë radhë është ndeshje më e rëndësishme, pasi janë në lojë pikët. Dhe për ne është thuajse vendimtare. Që kur u hodh shorti ishim të ndërgjegjshëm që do të ishte shumë e vështirë. Vetëm një skuadër që kualifikohej dhe duheshin shumë pikë për të arritur të dytët. Me Spanjën dhe Italinë në grup e kishim të qartë që do të ishte një arritje shumë e vështirë”, theksoi De Biazi.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6