De Biasi, Panuccit: Kujdes me këta dy lojtarë

Tashmë në rolin e “analistit”, ish- trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi ka folur për teknikun e ri të kuqezinjve, Christian Panucci, ku nuk ka nguruar dhe t’i japë atij disa këshilla.

Sport

20/07/2017 23:33

Në një intervistë për ‘Panorama Sport’, ish-kreu i pankinës kuqezi ka thënë se Panucci duhet të ketë kujdes me Kaçen dhe Xhakën.

Si duhet të sillet me lojtarët “rebelë” si Kaçe dhe Xhaka?

Nuk kam ndër mend të ndërhyj aspak në mënyrën se si ai menaxhon një grup lojtarësh. Unë kisha mënyrën time të punës, ndërsa ai ka të vetën. Megjithatë, përveç Kaçes, nuk ka asnjë problem me ndonjë tjetër. Zero, absolutisht zero.

Po Xhaka?

Panuçi nuk ka asnjë problem me Xhakën dhe natyrisht gjithçka do të nisë nga e para. Xhaka nuk ka asnjë problem, përveçse me shokët e tij, që i braktisi pas ndeshjes me Italinë dhe me tifozët, të cilëve u detyrohet një shpjegim për atë sjellje.

Xhaka duhet t’u kërkojë ndjesë tifozëve, sepse gjeste të tilla, sipas meje, nuk duhet kurrsesi të kalojnë në plan të dytë. Respekti për ata që na mbështesin, duhet të jetë maksimal. Gjithnjë! Xhaka duhet të mësojë shumë edhe nga shokët e tij dhe të mos sillet sikur është i pari i klasës, sepse nuk është hiç i pari i klasës…