De Biasi: Januzaj na ushqeu me shpresa të kota

Gianni de Biasi thotë se Adnan Januzaj i ushqeu me shpresa të kota shqiptarët, duke mos qenë i qartë rreth zgjedhjes së tij. Sidoqoftë, përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare mendon se 19 vjeçari e bëri zgjedhjen më logjike, kur vendosi për Belgjikën.

Sport

24/04/2014 11:30

Gianni de Biasi nuk befasohet me zgjedhjen e Adnan Januzajt për ta përfaqësuar Belgjikën. Përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare thotë se ylli kosovar i bëri shqiptarët të ëndërrojnë përkohësisht, pasi italiani e dinte se në fund 19 vjeçari do ta zgjidhte përfaqësuesen belge.

“Zgjedhje logjike për atë, duke qenë se është lindur në atë vend. Të vjen keq për faktin se nuk ishte i qartë që në fillim. Ushqeu shpresa false ose ishte shumë i paqartë në atë çfarë donte”, ka thënë De Biasi për “Panorama Sport”.

“Gjithsesi, qëndron ende fakti që i ati nuk iu përgjigj qoftë edhe një mesazhi dhe ca më pak telefonatave. Dhe kjo e fundit nuk ka nevojë për asnjë koment”, ka pohuar De Biasi.