Davutoglu konfirmon se nuk do të kandidojë për kryesinë e partisë

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, konfirmoi sot se nuk do të kandidojë për një mandat të ri gjatë një kongresi të jashtëzakonshëm të partisë islamiko-konservatore që mblidhet më 22 maj.

Lajme

05/05/2016 17:53

“Nuk mendoj të paraqes kandidaturën time”, tha ai, me një pamje serioze, gjatë një konference për median në selinë në Ankara të Partisë Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) që kishte tonet e një fjalimi lamtumire.

Përjashtimi i Davutoglu, 57 vjeç, nga drejtimi i AKP-së nënkupton edhe fundin e mandatit të tij si kryeministër, sepse shefi i partisë është gjithashtu kreu i qeverisë.Ky largim do t’i japë fund edhe tensioneve dhe divergjencave gjithnjë edhe më të dukshme të ditëve të fundit mes Davutoglusë dhe Erdoganit, të cilët udhëheqin së bashku partinë prej më shumë se një vit e gjysmë dhe fituan fuqishëm zgjedhjet legjislative të 1 nëntorit.