CNN prezanton Majlindën: Kjo është ëndrra e Kosovës (VIDEO)

CNN ka prezantuar xhudisten kosovare, Majlinda Kelmendi, duke zbuluar rrugëtimin e saj të vështirë deri tek përfaqësimi i vendlindjes së saj në Lojërat Olimpike.

Sport

17/06/2015 15:33

Majlinda Kelmendi është krenaria e sportit kosovar.

Xhudistja nga Peja ka zhvilluar një karrierë të ndritur duke fituar tituj të kampiones së botës. Por, rrugëtimi deri këtu nuk ishte aspak i lehtë. E ajo e ka zbuluar atë gjatë një interviste për “CNN”.

“Kur filloj një duel, ndjej se kurrë nuk do të humb, do të fitojë, më duhet të fitoj”, fillon rrëfimin e saj Majlinda, transmeton “Lajmi.net”. “Si fëmijë isha shumë e qetë, nuk isha agresive, jo luftëtare, dhe kur filloja të stërvitem xhudo, u bëra krejt ndryshe”, shtoi ajo, para se të zbulojë detajet e luftërave.

“Për femra një duel zgjat 4 minuta, kurse për meshkuj është 5, pikët maksimale shënohen me ippon, nëse e rrëzoni kundërshtarin në shpinë, ose të tjerat kur prapë e rrëzoni në shpinë, por nuk është aq e lartë, si dhe rrëzimi në pjesën anësore. Ndoshta njerëzit kur e shikojnë xhudon për herë të parë u duket e komplikuar, por pas një ore ndoshta i kuptoni të gjitha”.

“Unë garoj në kategorinë nën 52 kilogramë, jam e renditur në pozitën e parë në botë dhe jam dy herë kampione e botës. Më 2016, do ta përfaqësoj për herë të parë Kosovën në Lojërat Olimpike”.

Vështirësitë e mëparshme e kanë bërë që ta shijojë më tepër të tashmen e suksesshme, shkruan “Lajmi.net”.

“Gjatë karrierës time kam pasur shumë probleme, në fillim nuk mund ta përfaqësonim Kosovën, deri më 2009 ishte kështu, por tani jemi pranuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Ishte gjëja më e mirë që ndodhi sepse tani sportistë mund të ëndërrojnë pjesëmarrjen në Olimpiada, duke e përfaqësuar Kosovën”.

Majlinda nuk e harron as vendlindjen e saj dhe gëzimin e mbarë popullit pas qdo suksesi që ajo regjistron.

“E kam ëndërruar këtë për një kohë të gjatë dhe më në fund po realizohet. Është nder, kënaqësi për mua, ndoshta për një ditë ose dy mund t’i bëjë njerëzit në Kosovë të qeshin dhe të gëzohen, duke e harruar se ne kemi shumë probleme”, përfundoi ajo. /Lajmi.net