Çifti që nuk u nda nga biçikleta edhe në ditën e dasmës

“Çdo ditë është një eksperiencë e veçantë. Mund të ndodhë që zgjohemi në 5, jemi bashkë. Do ikim me biçikleta? Do ikim”.

Fun

04/09/2018 17:31

Prej 6 muajsh, kështu rrjedh jeta e Jetmirës dhe Ervisit. Janë njohur para gati 3 vitesh, në një drekë teksa gatuanin për fëmijët në nevojë. Ndjeshmërinë dhe pozitivitetin e njërit e gjen edhe te tjetri. Është kjo arsyeja pse sot nuk janë vetëm vullnetarë e aktivistë mjedisorë të mirë, por kanë formuar një familje.

“Në muajin mars ne realizuam dasmën tonë. U munduam të ishim vetja, të realizonim një dasmë që të tregonim ato dëshirat dhe pasionet që ndanim me njëri-tjetrin, se u dashuruam nga pasionet e njëri-tjetrit dhe menduam që temën e dasmës të kishim bicikletën. Gjatë gjithë kohës po kërceja dhe ishte realizim i një ëndrre, aq më tepër prej biçikletës, që e kemi pasion të dy”, tregon Jetmira Halilaj, shkruan top channel.

Historia, ashtu si plot prova nga fusha të ndryshme, kanë treguar se ato që tërhiqen janë të kundërtat, por Jetmira dhe Ervisi, e me siguri e shumë çifte të tjerë si ta, dëshmojnë sa në sinkron, paqe dhe gëzim, mund të shkojnë ditët kur partnerët mendojnë njësoj e të njëjta i kanë idealet në jetë.