Buffon nuk është pensionuar me Kombëtaren, ja kur do ta veshë sërish fanellën e Italisë

Vetëm katër ditë pas përplasjes me Messin, italianët do të luajnë kundër pëfaqësueses së “Tre Luanëve”.

Sport

13/02/2018 11:54

Më 23 mars në Manchester, në miqësoren mes Italisë dhe Argjentinës, në portën e të kaltërve do të jetë sërish Gigi Buffon.

Të paktën kjo është ideja e trajnerin të përkohshëm Gigi Di Biaggo, i cili ka ndërmend ta grumbullojë 40-vjeçarin për testet që do të zhvillohen në Angli. Vetëm katër ditë pas përplasjes me Messin, italianët do të luajnë kundër pëfaqësueses së “Tre Luanëve”.

Historia e dashurisë mes portierit tashmë legjendar dhe Kombëtares së Italisë duket se nuk mund të mbyllet me lotët e asaj mbrëmjeje të hidhur, kur u shua shpresa për të marrë pjesë në “Rusi 2018”.

Buffon është rekordmen sa i përket numrit të pjesëmarrjeve me të kaltrit (174 ndeshje), por i duhet edhe një takim me shiritin e verdhë në krah, për të thyer edhe rekordin e ndeshjeve si kapiten (80), transmeton “Albeu.com”.

Do të ishte një tjetër arritje e madhe gjatë një karriere të lavdishme. Të paktën në ndeshjet para Botërorit, Buffon, për kënaqësinë e të gjithë tifozëve të Kombëtares Italiane, do të shfaqet sërish mes shtyllave.