Bota sipas Vladimir Putinit

Putin nuk beson në ideologji, në komunizëm, në demokraci, nuk beson në ‘pushtet moral’, në Rend dhe në Drejtësi ndërkombëtare, nuk beson në gjë tjetër pos në fuqinë e pushtetit.

Opinion

16/10/2017 09:00

Filmi dhe Libri “Intervistat e Putinit” i regjisorit amerikan Oliver Ston.

Shkruan: Blerim Shala

Vladimir Putin, Presidenti i Federatës së Rusisë, emri i të cilit është përmendur në politikën amerikane viteve të fundit, me gjasë, më shumë se i gjithë liderëve të tjerë rus në pesëdhjetë vjetët e fundit së bashku, është sot personifikim më i mirë i mundshëm i porosive kryesore në Niccolo Machiavelit, i cili vazhdon në qëndrojë në themelet e politikës realiste evropiane për shekuj me radhë.

Ky, mbase është konstatimi kryesor që i qepet shikimit të filmit dokumentar katërpjesësh të Oliver Stonet, regjisorit të shquar amerikan, që përmbledhë intervistat e tij me Vladimir Putinit, të bëra në harkun kohor 2005-2007, me emrin e përbashkët ‘The Putin Interviews’. Për më shumë, Stone i ka zbardhur në letër këto biseda të tij me Putinin, dhe i ka botuar edhe si libër të veçantë.

Synimi i Stonet ka qenë i qartë: Të depërtojë në karakterin, në temperamentin, në mendjen, idetë, në botëkuptimin e Putinit. Në fund të filmit, kuptojmë që Stone është një kundërshtar i flaktë i politikës zyrtare të Amerikës, dhe që Putin është në gjendje ta ushtroj një kontroll të jashtëzakonshëm të vetëvetes, apo, ai ofron aq fjalë, aq ide, aq mendime në këtë intervistë, sa ai e sheh të arsyeshme në një intervistë që i dedikohet Amerikës dhe Perëndimit.

Edhe në këtë aspekt, ai është një trashëgimtar i Macchiavelit, më i miri i mundshëm. Ai i kontrollon në plotëni emocionet e veta, ai justifikon atë të vërtetën e tij të krijuar prej tij tash e gati njëzet vjet që është në pushtet, ai i shmanget maksimalisht çdo konkludimi të Stonet që do ta trajtonte raportin e tij me SHBA-në dhe me Perëndimin si një relacion të konfrontimit. Ai nuk dëshiron të shihet as si mik dhe as si armik i Perëndimit. Ai i le të hapura të gjitha dyertë për Washingtonin dhe Brukselin, por çelësat për to  (për këto dyer), i ka vetëm ky në pronësi. Putin, gjatë gjithë intervistës këmbëngulë, dhe këtu ai me gjasë ka të drejtë, që Bota e sotme është ndryshe, krejtësisht ndryshe, apo, që ajo nuk mund dot të mbulohet dhe të shpjegohet me skemën klasike të ‘Luftës së ftohtë’, dhe as të asaj të ‘Rendit të ri

Botëror’, pas ngadhnjimit të SHBA-së mbi Bashkimin Sovjetik (në vitin 1991), që instaloi atë konceptin e botës Unipolare.  Putin duket që është njëri prej burrshtetasve të parë që e kuptoi këtë fakt, në vijim të 11 shtatorit të vitit 2001, dhe të gjitha ngjarjeve që pasuan: Luftërave në Afganistan dhe në Irak, ‘Pranverës arabe’, rrëzimit të qeverive në shumë vende arabe, krijimit të ISIS-it, luftës në Siri, ngritjes ushtarake të Kinës, krizës së madhe financiare të Amerikës dhe Evropës, tatëpjetës edhe më të madhe politike të Bashkimit Evropian, krijimit të rrethanave për ngadhnjimin e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Një politikan si Putin, që vet vjen nga komuniteti i shërbimit të zbulimit, e kishte marrë vesh që organizimi ndërkombëtar ekzistues  (OKB, etj.), Administratat amerikane të George W. Bushit dhe të Barrack Obamës, dhe Bashkimi Evropian, kishin humbur atë fuqinë e ndikimit për zgjidhjen e çështjeve/ problemeve të mëdha në Botë, dhe që unipolariteti ishte zëvëndësuar me një Botë shumëpolare.

Këtë zbrazëti ndërkombëtare dhe këtë pafuqi perëndimore, Putin do ta përdorë për vete, për interesat e Federatës së Rusisë, duke synuar të mëkëmbë rolin e Federatës së Rusisë si faktor relevant ndërkombëtarë politik dhe ushtarak, megjithëse, siç potencon vet në njërën nga përgjigjet në intervistën për Oliver Stonen, SHBA ka harxhuar në vitin 2016, 600 miliardë dollarë në sektorin e mbrojtjes, krahasuar me diku 46 miliardë të Federatës së Rusisë për mbrojtje.

Parimi kryesor politik dhe diplomatik i Presidentit Obama  (pas një super-aktivizmi të Administratës së Bushit), siç dihet ka qenë: ‘Mos bë gjëra të marra…’. Putin ka bërë pikërisht gjëra të tilla, shikuar nga perspektiva amerikane dhe evropiane, sepse në njërën anë ka kuptuar që nuk ka mekanizma efektiv ndërkombëtarë për zgjidhjen e problemeve  (parimi i të Drejtës dhe Rendit ndërkombëtar), dhe në anën tjetër, që SHBA-ja dhe Evropa nuk e kanë ndërmend ta përdorin fuqinë e tyre jashtë orbitës së tyre të ndikimit dhe interesit.

Siç e pranon në këtë intervistë për Oliver Stonen, Putin i është nënshtruar ndryshimit të qëndrimeve të veta jo nën ndikimin e ideve të reja, por nën presionin e rrethanave të reja.

Por, krijimin dhe ekzistimin e këtyre rrethanave të reja, nuk e kanë kuptuar shumica e liderëve botërorë.

Putin këtu, në këtë serial dokumentar televiziv, nuk respekton asnjë politikan dhe diplomat që njeh apo për të cilin ka lexuar, pos Winston Churchillit, që ka qenë kryeprotagonisti ideologjik i ‘Luftës së Ftohtë’, apo, kryeartikuluesi i politikës perëndimore kundër Bashkimit Sovjetik, në ato ditët e para të ‘Luftës së Ftohtë’.

Në shikim të parë, diçka e tillë mund të duket paradoksale. Por pikërisht ky raporti i tij ndaj Kryeministrit namëmadh britanik, është dëshmia më e mirë e mundshme e vetë Putinit si politikan. Churchill, sipas Putinit, i ka bërë të gjitha veprimet e duhura në bazë të rrethanave të cilat i janë imponuar atij, duke mos mbetur aspak rob i bindjeve dhe botëkuptimeve të tij, të cilat realisht, ishin dhe mbetën anti-komuniste.

Ky Churchill u kthye në një përkrahës të flaktë të Stalinit dhe Bashkimit Sovjetik, pas sulmit të Gjermanisë naziste të vitit 1941 (dihet ajo thënia e njohur e tij, ‘Kur Hitleri sulmon Ferrin, sepse për te Bashkimi Sovjetik nuk ishte gjë tjetër pos një Ferr, unë do të bëhem aleat i djallit’), por pas luftës, sërish iu kundërvu Moskës zyrtare. Megjithatë, kur u mor vesh që edhe Bashkimi Sovjetik posedon armën bërthamore, i njejti Churchill kishte ftuar Washingtonin për një bashkëpunim intenziv me Moskën për të vë nën kontroll kërcënimin për shfarosjen bërthamore të Botës.

​2

Duket që Putin dëshiron të shihet si një politikan i tillë nga Perëndimi.  Ai përfundimisht nuk beson në ideologji, nuk beson në komunizëm, nuk beson në demokraci, nuk beson në ‘pushtet moral’, nuk beson në Rend dhe në Drejtësi ndërkombëtare, nuk beson në gjë tjetër pos në fuqinë e pushtetit, apo në pushtetin që është fuqi.

Natyrisht, ai do të përdorë çkado që i duhet, edhe raportin e rusëve ndaj Kishës Pravosllave, apo, ndaj Zotit, edhe atë relacionin tradicional të rusëve ndaj një figure madhore politike që dikur kishte qenë Car dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Bolshevike e tash është President i Rusisë, edhe kutitë e votimit, apo ‘demokracinë’, edhe një ekonomi që realisht është dyzim i kontrollit shtetëror dhe ndërmarrësisë private, edhe thelbin identitar rus që njeh konfrontimin e përhershëm ndaj Perëndimit, me synim të realizimit të synimeve të tij: Të jetë lider i fortë i një Rusie që është faktor i dorës së parë në Botë, megjithëse kjo Rusia e sotme i ka humbur, siç pranon vet, rrafsh 40% të potencialeve prodhuese të ish Bashkimit Sovjetik.

Në një episod të rrëfyer nga Putin, kur në Izrael ishte takuar me Ariel Sharonin, Kryeministrin e këtij shteti, Sharon, i ishte drejtuar Putinin me këto fjalë: ‘Zoti President, tani gjindeni në rajonin  (Lindjen e Afërt, vër.ime), ku askujt për asgjë nuk mund t’i besohet’.

Ky zatën është një tjetër parim nismëtar i politikës sipas Macchiavellit.

Këtë parim e respekton në plotëni Vladimir Putin. Putin në intervistë i thotë Stonet që ai nuk bërtet fare kur komunikon me vartësit e tij, megjithëse ekziston një përshtypje që ky si lider jep urdhëra në këtë mënyrë.

Kur e pyet Stone pse ky nuk ngritë zërin gjatë bisedave me bashkëpunëtorët e tij, ai ia kthen: Në atë rast, ata nuk do të më kuptonin se çka po ju them. E për mua kjo është kryesorja: Që ata të dinë çka duhet të bëjnë.  Putin, natyrisht mohon çdo përfshirje të tij dhe të institucioneve të Federatës së Rusisë në zgjedhjet në SHBA, apo, në rezultatet e tyre. Dhe natyrisht, rrjedha e kësaj interviste në katër vazhdime të Stonet me te, e bën fare të logjikshme dhe krejtësisht të natyrshme këtë veprim të tij.

Ndërsa asnjëri prej Presidentëve amerikanë me të cilët ky ka punuar  (Donald Trump ishte i katërti), nuk kanë arritur të kuptonin Vladimir Putinin dhe politikën e tij.