Benzema në Premierligë për 40 milionë euro?

Karim Benzema ka ofertë për transferim në Premierligë.

Sport

20/04/2018 07:28

Karim Benzema dhe Arsenali kanë qenë pranë në çdo sesion të merkatos të paktën në këto dy vitet e fundit, por “martesa” ka mbetur gjithnjë në tentative.

Ka shumë mundësi që këtë verë francezi dhe klubi londinez të nënshkruajnë më në fund kontratën për të nisur një faqe historie së bashku.

Sulmuesi po kalon një sezon jo të mirë, me siguri më i vështiri për të që kur në vitin 2009 u transferua nga Lyoni te Reali i Madridit.

I ndikuar nga dëmtimet, por edhe nga forma jo e mire, 30-vjeçari ka realizuar vetëm 5 gola në La Liga këtë edicion, megjithëse ka zbritur në fushë si titullar në 21 takime, pra një shifër mjaft e varfër për një sulmues të rëndësishëm.

Për këtë arsye, duket se presidenti i “Los Blancos” Florentino Perez ka vendosur t’i japë fund bashkëjetesës, i shtyrë edhe nga fjalët e kapitenit Sergio Ramos, i cili mësohet se i ka thënë presidentit të mos hezitojë për ta larguar Benzeman, përcjell “SS”.

Në këtë çast, në dritare është shfaqur sërish Arsenali.

Klubi anglez është gati të ofrojë 40 milionë euro për numrin 9 të madrilenëve.

Për momentin klubi “merengues” kërkon 80 milionë euro, një shifër që konsiderohet mjaft e lartë, sidomos po të merret parasysh sezoni zhgënyes i francezit. Megjithatë, nëse negociatat mes palëve nisin dhe dëshira ekziston për të gjetur një zgjidhje, atëherë mund të ketë një shteg drejt transferimit të Karim Benzemasë tek Arsenali.