Befasia e merkatos, Serie A ‘kampione’ me shpenzime!

Serie A ka bërë investime të mëdha gjatë afatit kalimtar të verës.

Sport

15/08/2018 13:49

Seria A rikthehet fuqishëm si me nivelin e lojtarëve, ashtu dhe me shpenzime ekonomike. Ai që dikur ishte kampionati më i fortë në botë, vitet e fundit ka vuajtur shumë në Europë e Botë, ku përvec Juves, ekipet e tjera kanë vuajtu shumë për të gjetur vazhdimësi.

Sipas statistikave më të fundit, klubet e kampionatit italian kanë shpenzuar 1 miliardë e 5 milionë eurove e gjenden të dytët vetëm pas skuadrave të Premier League, që kanë shpenzuar 1 miliardë e 37 milionë euro.

Gjithsesi, merkatoja në Itali mbyllet ditën e premte në orën 20, e me shumë mundësi ata do të ngjiten të parët në këtë klasifikim tepër interesant. Pas Serisë A, vjen La Liga me 778 milionë euro të shpenzuara, Bundesliga me 447 dhe Ligue 1 me 405.

Sigurisht, mund të thuhet se gjithcka filloi nga Juventus, e cila me blerjen e Cristiano Ronaldos, filloi një efekt domino, që u vu re dhe tek klubet e tjera. Normalisht, “Zonja e Vjetër” gjendet në vendin e parë për skuadrat italiane pasi ka shpenzuar 234 milionë euro, ndërkohë vendi i dytë që mbahet nga Roma, ka shpenzuar 112 milionë, më pak se gjysma e bardhezinjve. Përvec Ronaldos, Juve ka afruar dhe lojtarë si Bonucci apo Cancelo, lojtarë cilësorë të cilët mund të ndihmojnë kampionët e Italisë të arrijnë ëndrrën e madhe, me emrin Champions League, shkruan “SuperSport”.

Por dhe konkurrentet e tyre nuk mbeten pas. Roma, Inter, Napoli dhe Milani kanë bërë dhe mund të bëjnë blerje të tjera në mënyrë që të thyejnë hegjemoninë e krijuar nga bardhezinjtë në Serinë A. Secili klub ka arritur të marrë lojtarë si N’Zonzi, Vrsajlko, Politano, Higuain apo Bakayoko, që mund të ndihmojnë skuadrat respektive për të arritur synimet në kampionat e jo vetëm.

Ky sezon në kampionatin italian pritet të jetë spektakolar. Mbase me kohën mund të kthehet në nivelet e dikurshme.