Bayern prezanton Lewandowskin

Robert Lewandowski është prezantuar si futbollist i ri i Bayern Munichut. Sulmuesi polak u shpreh i lumtur me skuadrën e tij të re ku beson se do të përmirësohet edhe më shumë.

Sport

09/07/2014 14:39

Bayern Munich ka prezantuar përforcimin e ri, Robert Lewandowski. Golgeteri polak u paraqit për herë të parë si futbollist i gjigantit bavarez, pas transferimit nga rivali i Bundesligës, Borussia Dortmund.

“Jam këtu që disa ditë dhe menjëherë ndihem si në shtëpi. Jam i gatshëm të rifilloj, kam mbushur bateritë pas një sezoni të gjatë. E di se çka do të thotë të jesh në Bayern, çdo vit duhet të synosh tituj. Do ta bëj pikërisht këtë”, deklaroi Lewandowski.

“Guardiola? Uroj të mësoj sistemin e trajnerit. Nuk më paraqet problem të mësoj të luaj më ndryshe. E kam zgjedhur Bayernin sepse këtu mund të përmirësohem, jam në një klub të madh. Nga Borussia Dortmund kam mësuar shumë dhe i falënderoj të gjithë. Por, besoj se ka ardhur momenti të filloj një aventurë të re”, u shpreh ai.

Lewandowski do ta ketë fanellën me numrin 9 e cila deri në edicionin e kaluar i takonte Mario Mandzukicit, i cili pritet t’i bashkohet Atletico Madridit.