Barcelona e gëzon Suarezin

Luis Suarez është shprehur i lumtur që iu bashkua në stërvitje Barcelonës. Ai thotë se është duke paguar shtrenjtë gabimin që bëri në Botëror dhe mezi pret të rikthehet në fushë.

Sport

15/08/2014 15:01

Luis Suarez është shumë i lumtur që mund të stërvitet me Barcelonën dhe ka filluar të ndihet sërish si “futbollist” pas lehtësimit të dënimit nga CAS, edhe pse prapë nuk do të ketë të drejtë të luajë në ndeshje zyrtare për katër muaj.

“Ishte një situatë e komplikuar. Jam duke paguar një gabim që kam bërë e për të cilin kam kërkuar falje. Por, duhet ta harroj. Tani jam shumë i lumtur që sërish kam filluar të ndihem si futbollist”, deklaroi Suarez për Barcelona TV pasi përfundoi seancën e parë stërvitore me Barcelonën.

“E ardhmja ime është në Barcelonë, klub ku gjithmonë kam ëndërruar të luaj. Tani më duhet të pres rikthimin në fushë, të krijoj një lidhje të fuqishme me ambientin dhe të luaj në një stadium si Camp Nou”, u shpreh ai.