Barcelona dhe Juventus, mbretër të posedimit

Barcelona dhe Juventus janë skuadrat me përqindjen më të lartë të posedimit të topit, deri më tani gjatë këtij sezoni në ligat kryesore evropiane. Gjiganti katalan dhe ai torinez kryesojnë me nga 72 për qind. 

Sport

03/09/2014 20:30

Barcelona dhe Juventus kryesojnë renditjen e skuadrave me përqindjen më të lartë të posedimit të topit, nga 72.

Gjiganti katalan mposhti Elchen dhe Villarrealin në dy xhirot e para të La Ligës dhe si zakonisht e bëri duke dominuar kundërshtarit me posedimin e topit në fitoret me rezultat 3:0 përkatësisht 1:0.

Kurse, edhe Juventus ka dominuar në aspektin e posedimit të topit edhe pse në Serie A është zhvilluar vetëm një xhiro e edicionit të ri. Bianconerët fituan në udhëtim te Chievo me rezultat minimal 1:0, por dominuan me posedimin e topit, në 72 për qind.

Pas Barcelonës dhe Juventusit renditet kampioni i Ligue 1, Paris Saint-Germain me 69 për qind, pas katër ndeshjeve. Arsenal dhe Bayern Munich i kompletojnë pesë pozitat e para.

Gjiganti londinez pas tri xhirove në Premierligë ka pasur 66 për qind të posedimit të topit, kurse kampioni i Bundesligës e mbajti topin 62 për qind në dy xhirot e para të Bundesligës.