‘Babai i internetit’ paralajmëron ardhjen e Epokës së Errët dixhitale

Vint Cerf, “babai i internetit”, thotë se ai është i shqetësuar se të gjitha imazhet dhe dokumentet që kemi ruajtur në kompjuter, do të zhduken.

Auto & Tek

13/02/2015 17:21

Aktualisht zëvendëspresident i Google, ai beson se kjo do të ndodhë kur hardueret dhe softueret të dalin nga përdorimi si të vjetëruara.

Ai druhet se gjeneratat e ardhshme do kenë pak ose asnjë të dhënë për shekullin e 21-të pasi ne po hyjmë në atë që e përshkruan si “Epoka e Errët dixhitale”.

Zoti Cerf i bëri këto komente në një konferencë të madhe shkencore në San Jose.

Ai mbërriti në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane për Avancimin e Shkencës i veshur me stil me një kostum tre-copësh.

Kjo figurë ikonike, që ka ndihmuar për të përcaktuar se si lëvizin paketat e të dhënave në rrjet, është ndoshta i vetmi punonjës i Google që vesh një kravatë.

“Jam i kënaqur që kam ofruar këtë shërbim”, thotë ai me modesti.

Fokusi i tij është për të zgjidhur një problem, që kërcënon të çrrënjosë historinë tonë.

Jeta jonë, kujtimet tona, fotot më të dashura familjare ekzistojnë gjithmonë e më shumë si informacione kompjuterike- në hardrajve apo në ‘re’ (cloud). Por ndërkohë që teknologjia lëviz përpara, ekziston rreziku që të humbasin në prag të një revolucioni të përshpejtimit dixhital.

“Jam shumë i shqetësuar për këtë,” më thotë Cerf. “Ti dhe unë jemi duke përjetuar gjëra të tilla. Formatet e vjetra të dokumenteve që kemi krijuar apo prezantuar tashmë kanë dalë jashtë funksionit dhe nuk lexohen për shkak se versioni i fundit i softuerit nuk përputhet dhe nuk e garanton këtë”.

“Ajo që po ndodh me kalimin e kohës është se ne kemi grumbulluar arkiva të mëdha me përmbajtje dixhitale, por nuk e dimë se çfarë ka aty brenda”.

Vint Cerf është duke promovuar një ide për të ruajtur çdo copë softueri apo hardueri që të mos vjetërohet kurrë- ashtu siç ndodh në një muze- por në formë dixhitale, në servera në “re” (cloud).

Nëse ideja e tij funksionon, kujtimet që i kemi kaq të shtrenjta, do jenë të aksesueshme për gjeneratat që vijnë.

“Zgjidhja janë që të bëjmë disa foto me rreze X të përmbajtjes, të aplikimit dhe sistemit operativ së bashku, me një përshkrim të kompjuterit që po i operon dhe ta ruajmë për një kohë sa më të gjatë. Dhe kjo foto dixhitale do të rikrijojë të shkuarën në të ardhmen”.

Një kompani mund të ofrojë shërbimin, dhe unë i them atij se shumë pak kompani kanë zgjatur për qindra vite.

Kështu pra, si mund të garantohen kujtimet tona personale dhe historia njerëzore?

Edhe Google mund të mos jetë vërdallë mijëvjeçarin tjetër, i them.

“E thjeshtë që jo,” qesh ai. “Por mendoj se është interesante të imagjinojmë se është viti 3000 dhe ti ke bërë një kërkim në Google. Fotot me rreze X duhet të jenë të transportueshme nga një vend në tjetrin. Pra mund t’i lëvizësh nga Google në një tjetër ‘re’, ose një makineri”.

“Çelësi është që kur i lëviz këto materiale nga një vend në tjetrin, të dish se si t’i hapësh në mënyrë korrekte. Kjo është e mundur nëse standardizojmë përshkrimet”.

Koncepti i asaj që i Cerf i referohet si “velumet dixhitale” është demonstruar nga Mahadev Satyanarayanan në Universitetin Carnegie Mellon.

“Kjo do ketë problemet e saj, por koncepti kryesor është që të tregojmë që funksionon”. /BBC.