Avokati i ‘Burdushit’ komenton akuzat dhe veturat e konfiskuara

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj Hysni Peçani, i njohur si “Burdushi”.

Lajme

16/11/2018 20:46

Pas ngritjes së aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren ndaj Hysni Peçanit, ka folur avokati i tij Asdren Hoxha.

Hoxha tha për Kallxo.com, se klienti i tij i cili po mbahet në Qendrën e mbajtjes në Prizren po akuzohet për pesë vepra penale.

“Aktvendimi është në drejtim të pesë veprave penale: fajde, mashtrim, armëmbajtje, ushtrim i paligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangie nga tatimi”, tha Hoxha.

Hoxha shtoi se në takimin me klientin e tij, ky i fundit ndjehet i pa fajshëm dhe i mohon të gjitha akuza pasi asnjëra nga to nuk qëndrojnë.

“Bisedova me klientin tim, ai i mohon të gjitha akuzat, pasi asnjëra nga to nuk qëndrojnë, nuk ka asnjë provë”, tha Hoxha.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren kanë bastisur sot shtëpinë e mjekut popullor i njohur në opinion si “Burdushi”.