Apeli kundër dënimit 10-vjeçar të Skënderbeut, 5 lojtarë thirren dëshmitarë në Gjenevë

Sot do të jetë vetëm seanca dëgjimore, ndërkohë që vendimi mund të zbardhet në ditët në vazhdim.

Sport

26/04/2018 11:24

Përveç avokatëve zviceranë që përfaqësojnë skuadrën korçare, në Gjenevë për të deponuar janë edhe 5 futbollistë dhe ish-futbollistë të skuadrës së Skënderbeut, raporton TCH.

Sabien Lilaj është lojtari i kërkuar nga vet Komisioni i Apelit të UEFA-s, ndërkohë që emrit të tij i janë bashkuar për këtë seancë të sotme mesfushori Nimaga, ish-kapitenin Bledi Shkëmbi, sot trajner i Lirisë së Prizrenit, ish-lojtarët Bernard Berisha, sot lojtar i Groznit në kampionatin rus, si dhe Liridon Latifi, sot lojtar i Akademisë Pushkash në Hungari.

Avokati zviceran që përfaqëson Skënderbeun, Jean-Cédric Michel ka kërkuar që përpara UEFA-s të ketë sa më shumë lojtarë që të dëshmojnë për dyshimet që kanë inspektorët e UEFA-s për ndeshjet e përfshira në raportet e tyre.

Sot do të jetë vetëm seanca dëgjimore, ndërkohë që vendimi mund të zbardhet në ditët në vazhdim.

Pretendimet e avokatëve të korçarëve janë për të hequr tërësisht dënimin, jo thjesht ulje të tij, e për këtë arsye ata kanë bërë të ditur se do të kalojnë deri në CAS, nëse kjo kërkesë e tyre nuk pranohet në Apelin e UEFA-s, e pas CAS-it kanë kërkuar që të shkojnë deri në Gjykatën Federale të Zvicrës për të përmbushur kërkesat e tyre dhe të drejtuesve të skuadrës së Skënderbeut për këtë çështje.