Al Jazeera: Majlinda Kelmendi vajza e artë e Kosovës

Majlinda Kelmendi është vajza e artë e Kosovës. Xhudistja kosovare e ka kujtuar fillimin e karrierës dhe sukseset e njëpasnjëshme. Për to, ajo i është mirënjohëse familjes dhe trajnerëve. Një rrëfim prekës nga Al Jazeera.

Sport

11/03/2014 09:30

Kampionia e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi ka festuar më 8 shkurt në kryeqytetin francez, në një konkurrencë të fortë, duke e fituar medaljen e artë në kategorinë 52 kg, duke e përforcuar statusin në krye të renditjes botërore.

23 vjeçarja është sportistja e parë që ka fituar medalje në një kampionat botëror, që prej deklarimit të Pavarësisë së vendit në vitin 2008.

Majlinda ishte shpallur kampione e botës më 27 gusht të vitit 2013 në Rio de Janeiro, duke e mundur xhudisten e fuqishme vendëse, Erika Miranda.

“Është ndjenjë e mirë, kur e ke parasysh se është medalja e parë e artë për mua në një Botëror dhe e para në historinë e vendit tim”, thotë Majlinda, në një intervistë për Al Jazeera.

“Së pari, motra ime kishte nisur ta praktikonte xhudon dhe më ka ftuar çdo ditë, duke më thënë se duhej ta provoja. Shtëpia e jonë është mjaft afër sallës së ushtrimeve. Një ditë shkova, pasi aty ushtronin disa shoqe. Në fillim ishte mjaft zbavitëse”, kujton Majlinda.

Mirëpo, eksperienca e saj ishte mjaft e shkurtër, pasi vetëm pas dy muajsh, në Kosova nisi lufta.

“Nuk guxonim të dilnim nga shtëpia dhe të shkonim larg, kështu që pushuam në shtëpi për tre muaj. Nëna ime ishte ajo që e mbante qetësinë e familjes”.

“Gjyshja ime është boshnjake, kështu që nëna ime flet mjaft mirë serbisht, pasi kishte punuar në birrarinë e Pejës 30 vjet më parë, kështu që kjo e ka ndihmuar të mbajë kontakte. Nëna ime u përball me ushtrinë serbe kur ata hynë në shtëpinë tonë. Për fat të mirë, unë nuk e kujtoj luftën”, shton Kelmendi.

Gara e saj e parë ishte në Sarajevë. “Në total ishin tri konkurrente dhe kam përfunduar e treta. Nga ajo kohë kam nisur të dashurohem në xhudo, sepse ishte hera e parë që udhëtoja e vetme, pa prindër. Kam bërë shumë miq, ekzistojnë kultura dhe tradita të ndryshme. Mendoj se kjo ishte një taktikë e trajnerit, se si ta dojë një fëmijë xhudon”, vazhdoi Majlinda.

Por, xhudo nuk ishte ëndrra e saj, sepse si fëmijë ishte shumë e botë. Askush nuk priste se ajo do t’i arrinte ato që i ka bërë deri sot.

Gjatë luftës, ajo transformohet në tjetër njeri. Kelmendi zbulon se, përkundër vështirësive, me një dëshirë të madhe, mund të arrihet shumëçka.

“Që kur isha fëmijë ëndërroja diçka. Prindërit e mi janë gjithçka në jetën time. Ishin të preokupuar për mua. Edhe pse nuk ishim një familje e pasur, gjithmonë i plotësonin dëshirat tona”, nënvizoi ajo.

“Kështu që, kam ëndërruar që një ditë do të arrij diçka në jetë, që prindërit e mi të mos kenë nevojë të punojnë shumë dhe që unë të isha ajo që do t’i shërbeja dhe ndihmoja shtëpisë. Ndoshta ishte shumë e vogël për të menduar kështu, por unë gjithmonë kam qenë serioze”, tha xhudistja pejane.

Edhe pse xhudo është një sport i vështirë, ajo e përsërit se është ekstremisht e dashur, sepse përmes sportit ka arritur të jetë ajo që është sot, duke e bërë tërë vendin të jetë krenar me të.

Edhe prindërit e Majlindës janë marrë me sport: babai me futboll dhe nëna me karate.

“Në atë kohë ishte ndryshe. Klubi ku ka ushtruar nëna ime ishte vetëm për meshkuj, kështu që ajo ka shkuar në ushtrime fshehurazi dhe nëna e saj ia ka qepur një kimono. Kjo ka zgjatur derisa gjyshja ishte lodhur dhe i kishte thënë: unë nuk mund ta fsheh këtë më”, tregon Majlinda.

Për këtë, dëshira e parealizuar e ka ndihmuar nënën që ta mbështeste me të gjitha forcat Majlindën.

“Shumë shpesh ka ndodhur që e kisha ndonjë test apo provim në shkollë dhe nëna më thoshte: jo, shko në ushtrime, sepse testin do ta bësh herën tjetër”.

Sidoqoftë, Majlinda nuk e la asnjëherë anash shkollën. Ajo u diplomua në shkollën e mesme ekonomike, ndërsa tash është duke i ndjekur studimet për banka dhe financa dhe kontabilitet.

Këtë vit, ajo është duke i kryer studimet post diplomime, ndërsa ajo pritet të jetë asistente e xhudos në Universitetin AAB në Prishtinë.

“Ndonjëherë nuk kam kohë për prindërit apo familjen. Udhëtoj shumë dhe më bie të jem shpesh në hotel apo aeroplan, apo edhe në sallë. Nuk kam shumë kohë të dal, por për fat, nuk jam tipi që preokupohem shumë për këtë”, rrëfen Majlinda.

Pa dyshim, suksesi i Rios ishte më i gëzueshmi në karrierën e saj. Pejania e kujton me ëndje këtë sukses të jashtëzakonshëm.

“E prisja ta fitoja një medalje, por me të vërtetë nuk e prisja të artën. E kujtoj mëngjesin kur jam zgjuar, kam kërcyer në tërë dhomën. Nëse Zoti do më ndihmonte të bëhesha kampione olimpike, dyshoj se do ta përsërisja ndonjëherë ndjenjën e euforisë që e kisha më pas në Rio”, thotë Majlinda.

Ajo thotë se besimi është shumë i rëndësishëm dhe se nuk mund të arrish fitore të mëdha pa të. “Ajo që ia them vetes para garave të mëdha është: Majlinda, ti do dhe mundesh”.

Historia e Kelmendit është përkrahur nga Shteti, por ajo nuk mund t’i arrinte ato që ka bërë deri tash, pa mbështetjen e trajnerëve dhe familjarëve, që i kanë investuar paratë e tyre, për ta përgatitur sa më mirë atë.

Pas suksesit në skenën ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës e ka shtuar interesimin për sport, në veçanti për Majlindën.