Ahmeti ndau tokë me probleme për Ambasadën e Shqipërisë, Minxhozi kërkon tjetër lokacion

Para pak muajve, Kuvendi i Komunës së Prishtinës miratoi propozimin e kryetarit Shpend Ahmeti për dhënien e tokës në lagjen “Sofali” në shfrytëzim për ndërtimin e Ambasadës së Shqipërisë. Por, autoritet shqiptare hezituan të fillojnë punën, pasi që prona nuk e kishte të definuar statusin.

Lajme

18/07/2017 15:29

Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemail Minxhozi përsëri i është drejtuar kryetarit të Prishtinës për ndarjen e një trualli për ndërtimin e Ambasadës. Minxhozi ka thënë se trualli që i është gjetur para pak muajve nga ekzekutivi komunal e qe u miratuar nga Asambleja ka probleme pronësore, shkruan lajmi.net.

“I nderuari kryetar, në mbledhjen e fundit, Kuvendi i Komunës së Prishtinës miratoi kërkesën e Ambasadës së Shqipërisë për dhënie të truallit në shfrytëzim për ndërtimin e një godine të re për Ambasadën e Shqipërisë në lagjen “Velani”. Meqenëse sipërfaqja e miratuar nga ju, kishte probleme pronësore, lutemi që nëpërmjet jush ti propozoni Kuvendit Komunal të Prishtinës një lokacion të ri”, thuhet në kërkesën e Ambasadës së Shqipërisë për kryetarin Shpend Ahmeti e cila është nënshkruar nga ambasadori Qemal Minxhozi, e të cilën e posedon lajmi.net.

Ndërkaq, ekzekutivi komunal është pajtuar me kërkesën e Ambasadës shqiptare dhe ka shqyrtuar mundësin për dhënien e një trualli në lagjen “Larishtë”. Kryetari Ahmeti ka menduar që këtë propozim ta duroi të premten në Asamblenë komunale për miratim.

“Kuvendi i Komunës së Prishtinës me Vendimin nr.01-046-94053, dt. 04.05.2015, ka caktuar lokacionin për ndërtimin e objektit të Ambasadës së Shqipërisë, në parcelën kadastrale nr.2576-0, ZK Prishtinë, me sipërfaqe prej 2000 m2, i cili lokacion shtrihet brenda Planit rregullues Sofali. Në ndërkohë, Ambasada e Shqipërisë nuk ka filluar ndërtimin e objektit në lokacionin e lartcekur, por u është drejtuar organeve komunale me kërkesë të re, duke kërkuar që të ndryshohet dhe caktohet një lokacion i ri për ndërtimin e objektit të Ambasadës”, thuhet në arsyetimin e shkresës së kryetarit Ahmeti të cilën do ia dërgojë Asamblesë.

Tutje, shkresa thotë se “Drejtoria e Urbanizmit ka shqyrtuar kërkesën për ndryshimin e lokacionit – Vendimin nr.01-046-94053, dt. 04.05.2015, dhe ka propozuar një lokacion të ri, i cili gjendet në kuadër të Planit rregullues “Lakërishta”, në parcelën kadastrale nr.6113-10, në sipërfaqe prej 3000 m2, e cila shtrihet përgjatë rr.”FehmiAgani”, ZK Prishtinë, e evidentuar si:“pasuri shoqërore – Kuvendi Komunal Prishtinë. Në bazë të Planit zhvillimor Urban, të miratuar me Vendimin e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, 01.nr.035-181427, dt. 24.09.2013, kjo parcelë është e destinuar për zonë me përmbajtje publike, ndërsa sipas Planit rregullues “Lakërishta”, një pjesë e madhe e kësaj parcele është e planifikuar për gjelbërim, ndërsa pjesa tjetër për ndërtim”.

Asambleja e Prishtinës, konkretisht grupi parlamentar i LDK-së kishte refuzuar kategorikisht që Ambasadës t’i ndahet  lokacioni për gjatë Rrugës “Fehmi Agani” në Lakërishtë. Kjo, pasi që LDK- ja konsideronte se në atë pjesë është menduar të ndërtohet selia qendrore e LDK-së. Andaj, propozimi ishte refuzuar nga opozita dhe lokacioni ishte ndarë në “Sofali”. Megjithëkëtë, tash nuk dihet saktë nëse bëhet fjalë për të njëjtën parcele e cila ishte sugjeruar në vitin 2016./Lajmi.net/