100 vjet nga gripi spanjoll, virusi që vrau më shumë se luftrat botërore

Me të paktën 50 milionë të vdekur, epidemia e gripit spanjoll shkaktoi nga viti 1918 deri në 1920 një masakër shumë më të rëndë sesa luftrat botërore me 10 milionë ushtarë të vrarë.

Fun

09/03/2018 14:11

 

– Spanjoll? –

Origjina e epidemisë me shumë gjasa nuk ka asnjë lidhje me vendin e Servantesit, atëherë përse ky grip u quajt spanjoll?

Pa dyshim për shkak të sekretit ushtarak që lidhej me shëndetin e ushtarëve gjatë Luftës së Parë Botërore. Ishte e pakuptimtë për gazetat që të raportonin një virus që shfaroste trupat e ushtrive. Nga ana tjetër, media mund të shkruante lirshëm për gripin që goditi Spanjën, shtet asnjanës që nuk iu nënshtrua censurës.

– Origjina –

Origjina e epidemisë nuk është përcaktuar me vërtetësi. Rastet e para u regjistruan në muajin mars të vitit 1918 në Kansa në radhët e ushtarëve amerikanë. Sëmundja më pas u përhap në Europë në sajë të autokolonave ushtarake.

Pandemia u përhap në të gjithë botën në tri valë, e para në pranverën e vitit 1918 me një numër të vogël të rasteve të vdekjeve, më pas dy të tjera më të ashpra për shkak të mutacioneve të mundshme të virusit që e bënin edhe më tepër agresiv.

– Virusi –

Virusi i gripit, shkaktar i kësaj pandemie është i tipit A(H1N1), si ai i pandemisë së gripit të vitit 2009 (që regjistroi 18 500 të vdekur sipas bilancit zyrtar të OBSH-së dhe rreth 200 000 të vdekur sipas dy vlerësime të raportuara më pas).

– Të rinjtë –

Ndërsa sot epidemitë e gripit sezonal janë veçanërisht të rrezikshme për personat e moshuar dhe fëmijët, gripi spanjoll kishte si karakteristike të prekte kryesisht moshat e reja. Shënjestra e tij ishin personat e moshave nga 20 deri në 40 vjeç.

– Shkalla e patogjenitetit –

Përhapja e epidemisë shpjegohet gjithashtu nga lufta. Lëvizjet e trupave ndikuan në përhapjen e virusit, plagët dhe mungesat jetike ulën shkallën e mbrojtjes imunitare.

– Impakti global –

Nuk ka bilance të raportuara në statistika të sakta për këtë epidemi. Përllogaritjet e atëhershme raportonin për rreth 21 milionë të vdekur. Por, sipas vlerësimeve të mëvonshme, rreth një e treta e popullsisë globale u prek nga virusi dhe të paktën 50 milionë persona rezultojnë të vdekur.

Hulumtuesit Niall Johnson dhe Juergen Mueller konfirmuan në 2002 se bilanci i vërtetë i epidemisë mund të jetë në rendin e 100 milionë viktimave.

Shumë pak rajone në botë i shpëtuan pandemisë. Australia renditet në mesin e shteteve më pak të prekura në sajë të një politike strikte të vendosjes në karantinë.

Në vitin 1922 u krijua Shoqëria e Kombeve (SDN), Komiteti i Shëndetësisë dhe i Organizatës së Higjenës që u pasuan me themelimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për t’iu përgjigjur vullnetit për të luftuar më së miri këto lloj katastrofash.

– Persona të famshëm të cilët kanë vdekur si pasojë e gripit spanjoll –

Në mesin e viktimave renditen personazhe të famshëm si piktori austriak, Egon Schiele i cili vdiq më 31 tetor të vitit 1918, poeti francez Guillaume Apollinaire (9 nëntor 1918) dhe dramaturgu Edmond Rostand (2 dhjetor 1918).