ZRRE-ja ia injoron kërkesën KEDS-it që të shtyhet shtrenjtimi i tarifave të rrymës në mars

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka qëndruar e palëkundshme karshi datës për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike, përkundër kërkesave që 9 shkurti të jetë data e implementimit të faturave të reja.

Lajme

15/02/2022 16:42

Drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, ka bërë të ditur se vendimi i kësaj zyre për shtrenjtimin e faturave të energjisë ka gjetur zbatim që nga 9 shkurti.

“Vendimi per tarifa ka hyrë në fuqi me datë 9 shkurt 2022, dhe nga kjo datë ky vendim është i zbatueshëm”, ka thënë Pepaj shkurt për lajmi.net, pasi është pyetur nëse ka marrë parasysh propozimin e KESCO-s për shtyrjen e datës së shtrenjtimit të faturave.

Në anën tjetër, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje zyrtare nga ZRRE-ja.

“Ende nuk kemi marre nje pergjigje zyrtare”, përgjigjet shkurt Buzhala për lajmi.net.

KESCO ka bërë me dije që dje ka dorëzuar propozimin në ZRRE që vendimi për  për hyrjen në fuqi të tarifave të reja të mos zbatohet nga data 9 Shkurt 2022, por të nisë së zbatuari në ciklin e ardhshëm të faturimit.

Ky propozim ka ardhur si rezultat i veshtirësive që të bëhet prerja e gjendjes së leximit në një ditë për të gjithë konsumatorët.

Ndryshe, tarifat e reja kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt dhe do të apikohen deri më 31 mars 2023. Me miratimin e këtyre tarifave, shtrenjtim të energjisë do të kenë konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kWh energji elektrike. /Lajmi.net/