ZRrE e shtyn afatin për dorëzimin e aplikacioneve për rishikimin e tarifave të energjisë, deri të mërkurën

Të premten që lam pas, Zyra e Rregullatorit për Energjinë, do të duhej të kishte në tavolinë aplikimet fillestare të akterëve të sektorit për kostot dhe të hyrat e lejuara maksimale, që janë përcaktuese të tarifave të energjisë elektrike. Por, ky afat është shtyrë. Kështu kanë konfirmuar nga ZRrE për lajmi.net. “ZRRE-ja ka shtyrë afatin…

Lajme

26/01/2026 15:20

Të premten që lam pas, Zyra e Rregullatorit për Energjinë, do të duhej të kishte në tavolinë aplikimet fillestare të akterëve të sektorit për kostot dhe të hyrat e lejuara maksimale, që janë përcaktuese të tarifave të energjisë elektrike.

Por, ky afat është shtyrë.

Kështu kanë konfirmuar nga ZRrE për lajmi.net.

“ZRRE-ja ka shtyrë afatin për dorëzimin e aplikacioneve për rishikimin e tarifave të energjisë deri të mërkurën, më 28.01.2026”, kanë thënë nga ZRrE. 

Ata kanë treguar edhe arsyen e shtyrjes, e që kanë thënë se është koha për të përgatitur dokumentacionet përkatës nga të licencuarit.

“Kjo shtyrje është bërë me kërkesë të të licencuarve, me qëllim që t’u mundësohet përgatitja e plotë dhe e saktë e dokumentacionit përkatës”, kanë thënë më tutje. 

Aplikimet për shqyrtimin vjetor të tarifave vijnë në kohën kur KEK u ballafaqua me rënie të shpeshtë të blloqeve, rrjedhimisht edhe me reduktime të paparalajmëruara.

Para fundit të Marsit, ZRRE-ja do të bëjë shqyrtimin e propozimeve dhe do të vendosë për vazhdimin me tarifa të njëjta ose të reja të energjisë elektrike, të cilat do të hyjnë në fuqi nga 1 Prilli.

Në katër vitet e fundit, tri herë janë ngritur tarifat e energjisë elektrike gjatë shqyrtimeve në ZRrE, për herë të fundit në mes të prillit të kaluar, duke nxitur reagime të shumta nga qytetarët e bizneset e vendit.

ZRrE në prill të vitit 2025 mori vendim që ta shtrenjtojë rrymën për të gjithë konsumatorët për 16.1%. Megjithatë, të dhënat e Agjencisë së Statistikave flasin për një rritje të vazhdueshme të rrymës, për çdo muaj nga 8 deri në 18%.

Në 5 vjetët e fundit Kosova, edhe pse fle mbi thëngjill, vlerësohet të ketë importuar rrymë mbi 800 milionë euro. Ndërkaq, në jo pak raste, thuhet se është paguar një kosto jashtëzakonisht e lartë edhe për transportin e energjisë. Sido që të jetë, një shtrenjtim i ri i energjisë elektrike, i katërti me radhë gjatë qeverisjes së LVV-së do të jetë goditje e rëndë për qytetarët në Kosovë. /Lajmi.net/