Zjarrfikësit në vijën e parë të zjarreve në Drenas – Lladrovci i quan “heronj të ditëve tona”
Në përballje me temperaturat e larta dhe shpërthimet e zjarreve që kanë përfshirë komunën e Drenasit dhe zonat përreth, zjarrfikësit po tregojnë përkushtim të jashtëzakonshëm në mbrojtje të jetës dhe pronës. Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vlerësuar punën e palodhur të forcave zjarrfikëse, duke i cilësuar ata si “heronj të ditëve tona”.…

Lajme
Në përballje me temperaturat e larta dhe shpërthimet e zjarreve që kanë përfshirë komunën e Drenasit dhe zonat përreth, zjarrfikësit po tregojnë përkushtim të jashtëzakonshëm në mbrojtje të jetës dhe pronës.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vlerësuar punën e palodhur të forcave zjarrfikëse, duke i cilësuar ata si “heronj të ditëve tona”. Në një reagim publik, ai theksoi se zjarrfikësit janë duke vepruar me përkushtim të madh në disa vatra zjarri, veçanërisht në zonën e Goleshit (Sankoc), ku zjarri aktualisht ka një intensitet më të ulët, transmeton lajmi.net.
Sipas të dhënave, gjatë ditës së djeshme në terren ishin:
-
6 zjarrfikës nga Drenasi,
-
6 zjarrfikës nga Prishtina,
-
4 zjarrfikës nga Lipjani,
-
dhe 27 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në fshatin Gjergjicë, zjarri vazhdon të paraqesë rrezik, edhe pse është zhvendosur në drejtim të Balincës (komuna e Malishevës). Zjarrfikësit janë ende në vijën e parë të frontit për t’i vënë nën kontroll flakët.
Kryetari Lladrovci njoftoi gjithashtu se Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjente (DShPE) po siguron ushqim dhe pije për zjarrfikësit në terren.
“Uroj që përpjekja e zjarrfikësve të ketë sukses. Sigurisht, po të isha në Kosovë, do të isha krah tyre – heronjtë e këtyre ditëve”, ka shkruar Lladrovci në postimin e tij./lajmi.net/