Zhegrova zbulon se a do të luajë në derbi kundër Interit

Edon Zhegrova është prezantuar zyrtarisht si futbollist i Juventusit, pas transferimit të bujshëm në ditën e fundit të merkatos së verës. Sulmuesi kosovar doli përpara mediave në konferencën e tij të parë për shtyp si lojtar i bardhezinjve, ku shfaqi emocionin dhe ambiciet për aventurën e re. “Jam shumë i lumtur dhe krenar që jam…

Sport

11/09/2025 15:07

Edon Zhegrova është prezantuar zyrtarisht si futbollist i Juventusit, pas transferimit të bujshëm në ditën e fundit të merkatos së verës. Sulmuesi kosovar doli përpara mediave në konferencën e tij të parë për shtyp si lojtar i bardhezinjve, ku shfaqi emocionin dhe ambiciet për aventurën e re.

“Jam shumë i lumtur dhe krenar që jam te Juve. Reagimet kanë qenë pozitive dhe arsyeja që erdha është klubi dhe projekti i tyre. Skuadra ka cilësi të shkëlqyera dhe mezi pres të jap kontributin tim. Kam kaluar një periudhë të vështirë fizike, por tani ndihem më mirë dhe shumë shpejt do të jem 100% gati,” tha Zhegrova.

Ai kujtoi edhe përballjen e kaluar me bardhezinjtë në Champions League kur luante me Lille: “Ishte një periudhë tjetër, tani jam pjesë e Juventusit dhe jam shumë i lumtur për këtë.”

Zhegrova foli edhe për marrëdhënien e veçantë me kryeministrin shqiptar, i cili e ndihmoi të pajisej me pasaportë shqiptare: “Kryeministri është një mbështetës i madh i Juventusit dhe më ka ndihmuar shumë. Do t’i dhuroj fanellën time të parë.”

Për nofkën e tij “Luani”, sulmuesi u shpreh se ka të bëjë me aspektin mendor dhe vendosmërinë. Ndërsa për integrimin në grup, ai theksoi se gjithçka po shkon mirë: “Nisa stërvitjen me ekipin dhe fola me trajnerin Tudor për rolin tim. Do të shohim ku dëshiron të më aktivizojë.”

Sa i përket debutimit, Zhegrova pranoi se nuk do të jetë gati për derbin e Italisë ndaj Interit: “Nuk do të luaj ende në këtë ndeshje, duhet të punoj ende fizikisht. Do ta mbështes ekipin.”

Për Zhegrovën, kalimi te Juventusi është realizimi i një ëndrre të hershme: “Që kur fola për herë të parë me Comolli dhe Chiellinin, ishte si një ëndërr e bërë realitet. Gjithmonë kam dashur të luaj për një klub të madh si ky.”, tha në fund ai.