Zhegrova nuk ndalet: Stërvitet në Continassa edhe gjatë fundjavës për t’u bërë gati për Juventusin

Ndërsa shumica e futbollistëve të Juventusit po e shfrytëzojnë fundjavën e lirë të dhënë nga trajneri Igor Tudor për të pushuar, mesfushori nga Kosova, Edon Zhegrova, ka zgjedhur të vazhdojë punën me përkushtim maksimal. Sipas burimeve pranë klubit, Zhegrova është parë duke u stërvitur në Qendrën Stërvitore të Juventusit në Continassa gjatë ditëve të enjte,…

Sport

07/09/2025 17:38

Ndërsa shumica e futbollistëve të Juventusit po e shfrytëzojnë fundjavën e lirë të dhënë nga trajneri Igor Tudor për të pushuar, mesfushori nga Kosova, Edon Zhegrova, ka zgjedhur të vazhdojë punën me përkushtim maksimal.

Sipas burimeve pranë klubit, Zhegrova është parë duke u stërvitur në Qendrën Stërvitore të Juventusit në Continassa gjatë ditëve të enjte, të premte dhe të shtunë, duke ndjekur një program të personalizuar stërvitor, raporton lajmi.net

Krahas tij, në stërvitje kanë qenë edhe mbrojtësit Bremer dhe Juan Cabal, të cilët gjithashtu kanë vendosur të mos e ndërpresin ritmin përkundër pushimit të dhënë.

E vetmja ditë e lirë për Zhegrovën pritet të jetë e diela, ndërkohë që mesfushori 25-vjeçar duket i vendosur për të fituar zemrat e stafit dhe tifozëve bardhezi.

Performanca dhe përkushtimi i tij po vlerësohen si sinjale pozitive në prag të fillimit të sezonit, ku konkurrenca për një vend në formacion pritet të jetë e ashpër.

Transferuar këtë verë nga Lille, Zhegrova ka bërë përshtypje të mirë në seancat e para stërvitore, ndërsa me angazhimin e tij edhe jashtë orarit zyrtar, ai synon të tregojë se është i gatshëm për t’u bërë një histori suksesi në “Allianz Stadium”./Lajmi.net/