Asnjë ndeshje si titullar, por Zhegrova më shumë raste të krijuara se çdo lojtar i Juventusit

Kritikat ndaj trajnerit të Juventusit, Luciano Spalletti, për aktivizimin e kufizuar të Edon Zhegrovës po shtohen, pasi reprezentuesi kosovar po dëshmon se mund të bëjë diferencën sa herë që i jepet mundësia në fushë. Në ndeshjen ndaj Genoas, Zhegrova krijoi katër raste për gol dhe kompletoi tri driblime, duke qenë lojtari më i mirë i…

Sport

29/10/2026 23:15

Kritikat ndaj trajnerit të Juventusit, Luciano Spalletti, për aktivizimin e kufizuar të Edon Zhegrovës po shtohen, pasi reprezentuesi kosovar po dëshmon se mund të bëjë diferencën sa herë që i jepet mundësia në fushë.

Në ndeshjen ndaj Genoas, Zhegrova krijoi katër raste për gol dhe kompletoi tri driblime, duke qenë lojtari më i mirë i të dyja skuadrave në këto dy statistika, transmeton lajmi.net.

Pavarësisht minutave të pakta, anësori kosovar ka krijuar gjithsej 13 raste për gol në Serie A, më shumë se çdo lojtar tjetër i Juventusit këtë sezon. Këtë e ka arritur pa qenë titullar në asnjë ndeshje dhe duke luajtur vetëm 186 minuta.

Këto shifra kanë nxitur diskutime mes tifozëve dhe analistëve, të cilët po pyesin se pse një futbollist me aftësi të tilla individuale nuk po merr më shumë hapësirë në formacionin e parë të Juventusit.

Zhegrova njihet për teknikën, driblimet dhe aftësinë për të krijuar epërsi në situata një kundër një. Cilësi këto që mund t’i japin Juventusit më shumë alternativa në fazën ofensive, veçanërisht në ndeshjet kur skuadra has vështirësi për të depërtuar në mbrojtjen kundërshtare.

Nga ana tjetër, Spalletti duket se kërkon nga futbollisti kosovar më shumë kontribut në aspektin taktik dhe në fazën mbrojtëse, përpara se t’i besojë një rol të rregullt në formacionin titullar.

Megjithatë, paraqitjet e Zhegrovës sa herë që aktivizohet po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë të anashkalohen kontributet e tij. Statistikat tregojnë se, edhe me pak minuta në dispozicion, ai është ndër lojtarët më kreativë të skuadrës italiane.

Tashmë, mbetet të shihet nëse këto paraqitje do ta bindin Spallettin t’i japë më shumë përgjegjësi reprezentuesit kosovar, i cili po kërkon të dëshmojë se meriton një vend në formacionin e parë të Juventusit./lajmi.net/