Krediti i Arlindës, banka i kërkon familjes Zekaj, shqyrton mundësinë e faljes së borxhit të mbetur
Kreditimi Rural i Kosovës (KRK) ka reaguar pas raportimeve se familjarit të Arlinda Zekajt, e cila u vra ditë më parë në Pejë, i janë dërguar mesazhe për shlyerjen e kredisë së saj të mbetur. Arlinda Zekaj kishte marrë një kredi në vlerë prej 9 mijë eurosh, ndërsa garantues i saj ishte një familjar. Pas…
Lajme
Kreditimi Rural i Kosovës (KRK) ka reaguar pas raportimeve se familjarit të Arlinda Zekajt, e cila u vra ditë më parë në Pejë, i janë dërguar mesazhe për shlyerjen e kredisë së saj të mbetur.
Arlinda Zekaj kishte marrë një kredi në vlerë prej 9 mijë eurosh, ndërsa garantues i saj ishte një familjar. Pas vrasjes së saj, në adresë të të afërmit kishin arritur disa mesazhe përmes të cilave i rikujtohej detyrimi financiar ndaj bankës, transmeton lajmi.net.
Përmes një komunikate për media, KRK ka sqaruar se mesazhi për vonesën e pagesës ishte gjeneruar automatikisht nga sistemi elektronik, pa ndërhyrje manuale.
Institucioni ka bërë të ditur se, në momentin kur është njoftuar për dërgimin e mesazhit, rasti ishte tashmë në proces të trajtimit nga ana e tyre.
KRK ka theksuar se mesazhi nuk ishte dërguar qëllimisht dhe se nuk ka pasur synim të shpërfillë apo të shfrytëzojë ngjarjen tragjike.
“Megjithatë, e kuptojmë plotësisht ndjeshmërinë e situatës dhe dhimbjen e familjes, ndaj na vjen sinqerisht keq për këtë keqkuptim të krijuar”, thuhet në komunikatë.
Kreditimi Rural i Kosovës i ka kërkuar falje familjes së Arlinda Zekajt, duke shprehur ngushëllimet për humbjen e saj.
Po ashtu, KRK ka njoftuar se do të shqyrtojë mundësinë e faljes së detyrimit të mbetur të kredisë, duke marrë parasysh rrethanat e rastit dhe në përputhje me procedurat e brendshme të institucionit.
“KRK mbetet e përkushtuar ndaj komunikimit të përgjegjshëm, respektimit të dinjitetit njerëzor dhe trajtimit me mirëkuptim të klientëve dhe familjeve të tyre”, thuhet në fund të komunikatës./lajmi.net/