Zgjedhjet e reja kërcënojnë me krizë politike dhe buxhetore

Njohës të çështjeve politike dhe ekonomike mendojnë se shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme do ta kërcënojë vendin me kriza të reja politike dhe buxhetore. 

Lajme

28/10/2014 22:07

Njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme do ta çojnë vendin në një krizë buxhetore.

“Pa dyshim se shkuarja në zgjedhje te reja përfundimisht kërcënon vendin me krizë buxhetore. Kjo do të ndodhë për arsye se zgjedhjet kërkojnë kohë, si për organizimin, mbajtjen e tyre e deri te certifikimi. Pra, nuk ka asnjë mundësi që buxheti të dekretohet deri më 31 dhjetor”, tha Rexhepi për Kallxo.com.

Sipas tij, në këto rrethana, nga 1 janari agjencitë buxhetore për tre muaj mund të shpenzojnë  vetëm një të dymbëdhjetën e shpenzimeve nga viti paraprak.

Rexhepi shtoi se nëse buxheti nuk miratohet deri në fund të marsit, atëherë më 1 prill ndërpriten të gjitha pagesat nga buxheti, pos atyre për servisimin e borxhit publik.

Ndërkaq, analisti Muharrem Nitaj ka thënë për Kallxo.com, se shkuarja në zgjedhje të reja do t’i shkaktonte pasoja vendit.

“Sigurisht se zgjedhjet e reja do të kishin pasoja për vendin, sepse janë jo vetëm të panevojshme, por edhe te kushtueshme dhe unë i kuptoj si formulë të përmbysjes së një rezultati tashmë legjitim të zgjedhjeve të 8 qershorit. Presidentja nuk guxon ta bëjë një gjë të tillë”, tha Nitaj.

Sipas tij, Kosova i ka mbajtur zgjedhjet dhe ato kanë prodhuar një rezultat në bazë të të cilit çdo vend normal deri më tash do t’i kishte krijuar institucionet.

“Është mirë që Presidentja t’i kuptojë kompetencat që i ka dhe të mos provojë të shndërrohet në despot, sepse pushtetet janë të ndara. Ajo para se të flasë për zgjedhjet e reja duhet ta pyesë veten se pse nuk është më e përfshirë në krijimin e institucioneve, por bën sehire tash e pesë muaj duke pritur që të tjerët të gjejnë zgjidhje”, shtoi Nitaj.