Zëvendësja e Gërvallës: Kosova ka hapur dyert për refugjatët nga Ukraina
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, sot mori pjesë në forumin e organizuar nga Zyra e IOM në Kosovë, ku u diskutua migrimi i rregullt dhe i sigurt, teksa Republika e Kosovës ka hapur dyert për të pritur refugjatë nga Ukraina.

Lajme
Përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se Gashi në këtë forum tha se duhet t’i tregojmë botës se jemi komunitet që përkrahim refugjatët, shkruan lajmi.net.
“Si një vend i vogël me një histori të pasur migrimi, kemi edhe përgjegjësinë që të luajmë një rol përtej, t’i tregojmë botës se jemi të mirëpritur në komunitet për të përkrahur refugjatët, sikur që kemi pranuar refugjatë afganë, dhe tani që kemi shprehur gatishmërinë për të pranuar pesë mijë refugjatë ukrainas”, ka deklaruar Gashi.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme theksoi se derisa kapacitetet janë të limituara, institucionet e Kosovës po mundohen që të bëjnë më të mirën e tyre.
Sipas zëvendësministres Gashi “përkundër faktit që historia përsëritet, të gjithë së bashku duhet të ecim përpara, dhe si grup të koordinohemi për veprime të mëtejme për ta bërë më të lehtë këtë proces”.
Komunikata e plotë:
Zëvendësministrja Gashi flet për përgjegjësinë dhe rolin e Kosovës për të ndihmuar migrimin e rregullt dhe të sigurt
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, sot mori pjesë në forumin e organizuar nga Zyra e IOM në Kosovë, ku u diskutua migrimi i rregullt dhe i sigurt, teksa Republika e Kosovës ka hapur dyert për të pritur refugjatë nga Ukraina. Duke marr parasysh se qytetarët e Kosovës i kanë të freskëta kujtimet si refugjatë, zëvendësministrja Gashi theksoi se “si një vend i vogël me një histori të pasur migrimi, kemi edhe përgjegjësinë që të luajmë një rol përtej, t’i tregojmë botës se jemi të mirëpritur në komunitet për të përkrahur refugjatët, sikur që kemi pranuar refugjatë afganë, dhe tani që kemi shprehur gatishmërinë për të pranuar pesë mijë refugjatë ukrainas”.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme theksoi se derisa kapacitetet janë të limituara, institucionet e Kosovës po mundohen që të bëjnë më të mirën e tyre. Poashtu, ajo u shpreh se duhet të shtohet bashkëpunimi në fusha dhe kategori të ndryshme të shoqërisë që kanë potencial të kontribuojnë në këtë aspekt, në mënyrë që migrimi të bëhet më i lehtë. Lufta në Ukrainë ka shkaktuar numër të madh të refugjatëve, andaj sipas zëvendësministres Gashi, “përkundër faktit që historia përsëritet, të gjithë së bashku duhet të ecim përpara, dhe si grup të koordinohemi për veprime të mëtejme për ta bërë më të lehtë këtë proces”.
Nga ana tjetër, znj. Anna Rostocka, shefe e Misionit të IOM në Kosovë u shpreh se me angazhim të përbashkët mund të sigurohemi që migrimi adresohet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Kurse znj. Ulrika Richardson, koordinatore për zhvillim në Zyrën e OKB-së në Kosovë, theksoi rëndësinë e partneritetit të IOM-it me institucionet vendëse dhe ndërkombëtare, si dhe me shoqërinë civile sa i përket çështjes se migrimit. Ajo tha se qëllimi i kësaj konference është që t’i japin përmbajtje përkushtimit të Kosovës për migrim të rregullt dhe të sigurt, në një përmbajtje kompakte të migrimit global. /Lajmi.net/