Zëri: Po qarkullojnë tri opsione për presidentin e ardhshëm të Kosovës

Në janar të vitit të ardhshëm pritet të nxehet gara për president. Përpos kandidaturës së Hashim Thaçit, e cila parashihet edhe me marrëveshjene koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së, Zëri shkruan se ndërkombëtarët po e diskutojnë mundësinë që Jahjagës t’ia japin edhe një mandat në krye të Presidencës.

Lajme

15/09/2015 08:10

Po ashtu përflitet se në atë kohë edhe opozita do të dalë me një kandidat të përbashkët.

Deri në atë kohë, pavarësisht se nuk kanë mbetur shumë muaj në dispozicion, nuk do të bëhen publike të gjitha kandidaturat për të parin e shtetit.

Kandidaturat më të favorizuara për president janë të liderëve partiakë, që arrijë të sigurojnë me 30 nënshkrime të deputetëve, të cilët nënshkrime vështirë mund t’i sigurojnë kandidatët e pavarur, nëse nuk përkrahen nga subjektet parlamentare.

Kosova si Republikë Parlamentare, duke u bazuar në Kushtetutë, është në përgjegjësinë e Kuvendit të Kosovës që ta zgjedhë presidentin e shtetit me votim të fshehtë. Neni 86 i Kushtetutës së Kosovës, pika 2, thotë se zgjedhja e presidentit të Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që i bie se Kosova duhet ta zgjedhë shefin e ri të shtetit më së largu më 7 mars të 2016, një muaj para se presidentes aktuale, Atifete Jahjaga, t’i përfundojë mandati. /Zëri