Zemaj: Kriza institucionale është opsioni i vazhdueshëm i Kurtit, LDK-ja nuk nënshtrohet ndaj askujt
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me situatën institucionale në vend. Në një postim në Facebook, Zemaj ka thënë se Kurti nuk e sheh stabilitetin institucional si opsion politik, ndërsa ka akuzuar atë dhe Lëvizjen Vetëvendosje për, siç pretendon ai, vazhdimin e krizës institucionale. “Albin…
Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me situatën institucionale në vend.
Në një postim në Facebook, Zemaj ka thënë se Kurti nuk e sheh stabilitetin institucional si opsion politik, ndërsa ka akuzuar atë dhe Lëvizjen Vetëvendosje për, siç pretendon ai, vazhdimin e krizës institucionale.
“Albin Kurti nuk e sheh stabilitetin institucional si opsion politik.
Çdokush që ka besuar se kjo qasje do të ndryshojë, herët a vonë është përballur me të kundërtën. Edhe kur mendon se ke dakordim, ata shfaqin një kauzë të re, një mashtrim të ri, ndërsa përgjegjësia për krizën tentohet t’i atribuohet palës tjetër. Jo sepse faktet janë të tilla, por sepse propaganda politike e tyre ushqehet në atë mënyrë”, ka shkruar Zemaj.
Ai ka deklaruar se, sipas tij, kriza institucionale mbetet një qasje e vazhdueshme e Kurtit dhe ka kritikuar ata që besojnë në bashkëpunim me të.
“Prandaj, kriza institucionale mbetet opsioni i tij i vazhdueshëm. Krejt ata që besojnë në bashkëpunim me të, do t’u dalë gabim; për ta, je i mirë vetëm i nënshtruar”, ka shkruar Zemaj.
Në fund, deputeti i LDK-së ka theksuar se partia e tij, sipas tij, nuk i nënshtrohet askujt.
“E fatmirësisht, LDK-ja nuk nënshtrohet ndaj askujt, as nuk është nënshtruar kurrë”, ka përfunduar Zemaj. /Lajmi.net/