Zelensky: Nëse sot arrihet armëpushim, takimi me Putin është i panevojshëm
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se nëse një marrëveshje për një armëpushim arrihet në nivel teknik gjatë negociatave të sotme në Turqi, një takim me presidentin rus Vladimir Putin nuk do të ishte më i nevojshëm. Duke folur në një konferencë për shtyp në Ankara, ai u bëri thirrje gjithashtu aleatëve të Ukrainës që të…

Bota
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se nëse një marrëveshje për një armëpushim arrihet në nivel teknik gjatë negociatave të sotme në Turqi, një takim me presidentin rus Vladimir Putin nuk do të ishte më i nevojshëm.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Ankara, ai u bëri thirrje gjithashtu aleatëve të Ukrainës që të rrisin presionin ndaj Moskës nëse pala ruse nuk tregon gatishmëri për bisedime serioze.
Presidenti ukrainas tha se detyra kryesore e Ukrainës është të jetë “konstruktiv”, andaj një delegacion i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes u dërgua në Stamboll, raporton KosovaPress.
Ai shtoi gjithashtu një mesazh të qartë për presidentin rus: “Nëse Putin është gati për negociata pa parakushte, le të takohemi”.
Zelensky tha se lufta nuk mund të përfundojë pa bisedime serioze për një armëpushim.
“Rusia po tregon se nuk dëshiron t’i japë fund luftës,” tha Zelensky duke shtuar se pret sanksione të reja kundër Federatës Ruse si një mjet për t’i dhënë fund luftës.
Zelensky theksoi se ende nuk është përcaktuar koha e saktë e takimit të sotëm në Stamboll, për të cilin flitet prej ditësh.
Ai përkujtoi se deri më tani negociatat janë zhvilluar në formate dhe shtete të ndryshme, përfshirë Arabinë Saudite, Britaninë e Madhe, Francën dhe tani Turqinë.
“Është e vështirë të bisedohet me përfaqësuesit rusë, por ne jemi gati për negociata të drejtpërdrejta”, tha Zelensky.
Zelensky konfirmoi se delegacioni ukrainas i udhëhequr nga Ministri i Mbrojtjes ka mandatin për të rënë dakord për një armëpushim. Ai bëri të ditur se delegacioni ukrainas do të qëndrojë në Turqi nesër.
Zelensky nuk do të paraqitet personalisht në takim, pasi Putin vendosi të mos vinte në Turqi.
Ndërsa presidenti ukrainas foli në Ankara, kreu i delegacionit rus në Stamboll, Vladimir Medinsky, mbajti konferencën e tij për shtyp.
Ai deklaroi se Rusia i konsideron këto negociata një vazhdim i procesit të paqes që filloi në vitin 2022. Ai shtoi se presidenti rus përcaktoi personalisht detyrat e delegacionit dhe përcaktoi pozicionin negociues, pas një takimi me komandantët ushtarakë të ngarkuar për luftën në Ukrainë.
Pavarësisht nivelit të ulët të delegacionit, Medinski pohoi se pala ruse është “e vendosur të gjejë zgjidhje dhe pika kontakti” në Stamboll.