Zëdhënësi i Qeverisë i reagon Stanos: Mungesa e progresit në dialog është shkaku i Serbisë

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas deklaratës së zëdhënësit të BE-së, Peter Stano ,i cili të hënën tha se rezultatet e deritanishme në dialog nuk janë dështim i emisarit Mirosllav Lajçak, por i Kosovës dhe Serbisë. Kryeziu ka thënë se është një zhvillim i dukshëm që BE-ja pranon se procesi i…

Lajme

30/04/2024 12:43

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas deklaratës së zëdhënësit të BE-së, Peter Stano ,i cili të hënën tha se rezultatet e deritanishme në dialog nuk janë dështim i emisarit Mirosllav Lajçak, por i Kosovës dhe Serbisë.

Kryeziu ka thënë se është një zhvillim i dukshëm që BE-ja pranon se procesi i dialogut nuk ka ecur mirë, megjithatë, sipas tij, mungesa e progresit nuk është për shkak të të dyja palëve.

Në një postim në “X”, Kryeziu ka renditur një listë me shkeljet për të cilat thotë se ka bërë Serbia vetëm dy javë pasi i tha po Marrëveshjes Bazë të shkurtit 2023.

Kryeziu ka shkruar se prej atëherë 90 ushtarë të KFOR-it janë lënduar në veri të Kosovës nga grupet e dhunshme të udhëhequra nga liderët e Listës Serbe në maj të vitit 2023.

Sipas tij, gazetarët dhe policët e Kosovës ishin në shënjestër gjithashtu. “Paradoksalisht, vetëm një muaj pasi Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Kosovës dhe jo Serbisë”.

“Në qershor të vitit 2023, tre policë kosovarë u rrëmbyen nga forcat speciale të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Pavarësisht provave të paraqitura nga institucionet tona të cilat dëshmojnë se Serbia ka shkelur integritetin tonë territorial, asnjë masë nga BE-ja nuk është ndërmarrë kundër Serbisë”, ka shkruar ai ai.

Kryeziu ka përmendur edhe vrasjen e policit, Afrim Bunjaku në sulmin e shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Sipas tij, Milan Radoiçiq, lider i grupit të sulmit të shtatorit, i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili pranoi planin dhe pjesëmarrjen në sulm, është ende i lirë dhe tani takohet me ambasadorin e SHBA-së në Serbi.