Ymeri thotë se opozita po krijon një “bosht të ri” në Kuvendin e Kosovës

Visar Ymeri, kryetar i lëvizjes “Vetëvendosje”, ka folur për qëndrimet dhe veprimet e përbashkëta që subjektet opozitare do t’i shpërfaqin në Kuvend, por edhe për zhvillimet në subjektin politik që përfaqëson.

Lajme

16/04/2015 07:40

Ai në vazhdim të intervistës me “Kohën Ditore” ka komentuar edhe disa nga vendimet e Qeverisë.

Ka theksuar se bashkëpunimi opozitar do ta krijonte një bosht të ri të funksionimit politik brenda legjislativit, i cili për çështje të caktuara do të mund t’i tërhiqte edhe votat e deputetëve individualë, qofshin ata të pavarur ose të grupeve të tjera parlamentare.

Megjithëkëtë, ka thënë se opozita nuk është mirë me numra. Por, ka shfaqur shpresën se, për çështje të caktuara, me opozitën t’i bashkojnë votat edhe disa nga deputetët e partive në pushtet.

“Nëse e bëjmë një matematikë të thjeshtë, nuk është se dalim mirë me numra. Ne si subjekte opozitare gjithsej i kemi 31 deputetë nga 120 sish, sa i ka Kuvendi, por mendoj që rritja dhe intensifikimi i bashkëpunimit në mes nesh do ta krijonte një bosht të ri të funksionimit politik brenda Kuvendit, i cili për çështjet e caktuara do të mund të tërhiqte edhe votat e deputetëve individualë, qofshin ata të pavarur ose të grupeve të tjera parlamentare”, ka thënë ai.

Shkarkimi nga posti ministror i Aleksandër Jablanoviqit është vendimi i vetëm i kryeministrit Isa Mustafa, për të cilin Ymeri ka thënë se meriton të duartrokitet. Si gjysmë të mira i ka vlerësuar politikat fiskale, dhe vendimet e tjera kanë marrë notë negative të tij.

Tek ka folur për zhvillimet e fundit në “Vetëvendosje”, ka thënë që përjashtimet e disa aktivistëve janë për shkak të shpifjeve dhe keqpërdorimit të fondeve. Kreu i “Vetëvendosjes” ka thënë se kurrkush nuk do të ndëshkohet, nëse e ndan me publikun pakënaqësinë për këtë subjekt politik.

Visa Ymeri
Visa Ymeri