Ymeri kritikon ligjin për shtetësinë: Po rritet elektorati serb në Kosovë – ditën që vijmë në pushtet, ai ligj s’vazhdon

Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri, ka kritikuar ligjin për shtetësinë, duke thënë se ai po ndikon në rritjen e elektoratit serb në Kosovë. “E kemi pasur ligjin për shtetësi. Këta janë njerëz që kanë votuar deri në vitin 1998; kush ka qenë banor atëherë, tash mund ta marrë…

Lajme

23/05/2026 08:33

Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri, ka kritikuar ligjin për shtetësinë, duke thënë se ai po ndikon në rritjen e elektoratit serb në Kosovë.

“E kemi pasur ligjin për shtetësi. Këta janë njerëz që kanë votuar deri në vitin 1998; kush ka qenë banor atëherë, tash mund ta marrë shtetësinë. Nuk po besoj që po flasim për njerëz që punojnë për interesa kombëtare apo për flamur kosovar. Me Listën Serbe është votuar një ligj që e shton elektoratin serb në zgjedhjet e ardhshme, sepse ata dhe fëmijët e tyre e marrin automatikisht shtetësinë. A kemi luftuar për t’i shtuar serbët në Kosovë? Ditën që vijmë në pushtet, ai ligj nuk duhet të vazhdojë më tutje”, tha Ymeri.

Ymeri në “Edicionin Special” në “Klan Kosova”, tutje tha se nuk janë kundër shpërndarjes së 100 eurove nga qeveria te populli.

Por, ajo thotë se qeveria duhet të punojë e investojë.

“Le t’i marrin njerëzit, cent më cent, sepse janë të tyre. Sa më shumë që ka rishpërndarje aq më shumë shihet vlera e mashtrimit dhe aq më shumë shihet se sa jena duke marrë para dhe po na humbin nëpër duar. Nuk është për mos me marr, as nuk jena duke e kundërshtuar, por ne jemi duke e kundërshtuar që s’po bëhet kurgjo për të ardhmen tonë. Është sikur borxhi i vetvetes tonë. Kurgjo s’po investohet, në fakt po shpërndahet, por nuk është rishpërndarje qikjo, rishpërndarje është kur i këna krejt kushtet mirë, ne s’kemi gjërat bazike në jetë”, deklaroi Ymeri.

Ajo poashtu shprehu bindje të plotë që Lëvizja Vetëvendosje nuk do të arrijë më 51.1% të votave sa në zgjedhjet e kaluara.